Lajme

Më 9 shkurt protesta e opozitës në Gjirokastër

Partia Demokratike ka udhëzuar deputetët, kryetarët e degëve që të organizohen për të realizuar protesta në të gjithë Shqipërinë. Një kalendar protestash është miratuar nga kryesia e PD-së, për të kulmuar më 16 shkurt një protestë masive në Tiranë.
Aktivi i PD-së së Gjirokastrës u zhvillua sot, në bashkërendim edhe me degët e tjera te Qarkut, vendosi që më datë 9 shkurt të protestohet në këtë qytet.
Këtë fakt e bën të ditur deputeti i PD-së i këtij qarku Tritan Shehu, njëherësh edhe si i deleguar i kësaj partie për organizimin e protestave.
“Protesta jonë do të jetë kundër varfërisë, papunësisë, ndërprerjes edhe të ndihmës ekonomike, lënies në harresë të minatorëve për statusin e tyre, sistemit të degraduar shëndetësor e arsimor, mos mbështetjes së blegtorëve dhe fermerëve, mungesës së shpresës për rinjtë etj, etj”, shprehet Tritani Shehu.
Gjithashtu në këtë aktiv është diskutuar edhe për mbështetjen e plotë edhe në Gjirokastër për aksionin politik e protestën e datës 16 shkurt në Tiranë.
Për të realizuar një protestë sa më të efektshme dhe rezultateve, PD-ja i ka kërkuar që të gjithë deputetëve që të jenë bazë dhe të thërrasin sa më shumë njerëz.
Mësohet se për disa qarqe janë vendosur të koordinojnë protestën e opozitës nga një anëtar kryesie dhe nga një deputet. Të deleguar për organizimin e protestës në Tiranë janë: Jorida Tabaku, Alban Vokshi, Aldo Bumçi, Gazment Bardhi dhe Grida Duma.
Për rrethin e Shkodrës është deleguar Flamur Noka, ndërsa për atë të Fierit Enkelejd Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë