Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka vizituar sot Bashkinë e Dropullit, nën shoqërinë e Prefektit të Qarkut, disa përfaqësuesve të Policisë, Prokurorisë dhe zv.ambasadoren e Holandës në Tiranë, duke diskutuar për parandalimin e krimit në zonë.
Teksa ka bërë thirrje për ta afruar më tepër Policinë e Shtetit me qytetarin, Lleshaj ka befasuar minoritarët, duke i ftuar që të bëhen pjesë e strukturave të uniformave blu.
“Ne duhet që Policinë ta konsiderojmë si Policinë tonë. Dhe ka shumë mënyra për t’u afruar me policinë. Së pari, duhet që vetë Policia ta fitojë besimin e qytetarëve, duhet që ajo ta bëjë hapin e parë. Por, duhet që edhe qytetarët të mundohen të gjejnë tek Policia një partner të tyre. Unë besoj se rruga më e mirë për ta bërë këtë dhe, këtu gjej rastin për ta përsëritur këtë thirrje, është që ne duhet t’i shohim djemtë dhe vajzat e minoritetit grek pjesë të Policisë tonë”, tha Lleshaj.
Sipas Lleshajt, “do të ishte një investim i madh për Policinë e Shtetit, por dhe për miqësinë tonë, edhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, që pjesëtarë të minoritetit etnik grek të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit tonë”, theksoi ministri i Brendshëm.
Thirrja e ministrit të Brendshëm, vjen vetëm pak muaj pasi në fshatin Bularat ndodhi incidenti me minoritarin grek Konstandinos Kaçifas, i cili u vra nga RENEA, pasi më parë kishte qëlluar mbi policinë lokale. Një ngjarje që shkaktoi përplasje mes Greqisë dhe Shqipërisë, me akuza dhe deklarata që cenonin dhe integritetin kombëtar të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




