Politike

Protesta e 16 shkurtit, Berisha: Ramën do e largojmë me çdo çmim!

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se mënyra e vetme për ta rrëzuar nga pushteti Edi Ramën janë protestat mbarëpopullore.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha e krahasoi kreun e qeverisë me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, duke thënë se duhet të largohet me çdo çmim.

Teksa gazetarët i kujtuan se “vetëm sot ka 16 veta të vrarë në Venezuelë” dhe e pyetën se a do ta marrë mbi shpatulla opozita shqiptare “për Maduron (Ramën) këtë çmim”, Berisha u përgjigj: “Me çdo çmim, Maduro këtu duhet të largohet”.

“Ky i sotmi është një sistem kakistrokratik, që do të thotë se e keqja ka zaptuar vendin. Rama nuk largohet me zgjedhje të lira, por me protesta dhe përmbysje popullore, e them këtë, sepse ai nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme, duke përfshirë bandat kriminale në të gjithë vendin në favor të votave dhe presionit ndaj qytetarëve. Prandaj them se ai duhet përmbysur me të gjitha mjetet e mosbindjes civile”, – tha ish-kryeministri.

Ai nënvizoi se për opozitën ky është një rast historik dhe një moment i jashtëzakonshëm. “Nëse ka një regjim që keqësoi këtë vend pas Hoxhës, është Edi Rama. Sot është bërë famoze mafia, një ministër ishte lidhur këmbë e kokë me drogën, vendos prapë një ministër që kishte vëllain trafikant, kjo tregon se shteti ishte lidhur këmbë e kokë me mafien. Ky është regjimi i kakistokracisë. Edi Rama është një mikromonstër njësoj si Maduro. Rama u futi policinë dhe studentëve dhe bëri atë që as Ramiz Alia nuk e bëri’, – shtoi lideri historik i PD-së.

Berisha përgëzoi qëndrimin e opozitës dhe vendimin për të nisur në 16 shkurrt protestat e planifikuaara deri në rrëzimin e Ramës nga pushteti. “Po të isha unë në krye të opozitës, do të bëja këto që bën opozita sot. Unë e përgëzoj opozitën dhe e përshëndes. Është shumë qartë, që duhet bërë një situatë ku të votojnë të gjithë të lirë. Unë nuk jam për marrje të pushtetit me dhunë, por për zgjedhje të lira”.

Sipas Berishës, populli është i zhgënjyer dhe do bashkohet me opozitën me qëllimin për t’i hapur rrugën hyrjes në BE dhe për të ndaluar mafien në çdo qelizë të shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë