Parlamenti grek ka vendosur të shtyjë për të premten votimin mbi marrëveshjen historike për emrin e Maqedonisë.
Shkak për këtë, raportohet se ishte regjistrimi i numrit të madh të folësve gjatë debatit mbi marrëveshjen e ashtuquajtur të Prespës.
Debati parlamentar ishte caktuar të përfundonte sot, por zyra e kryetarit të Parlamentit tha se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’i lejuar të gjithë deputetët të regjistrohen gjatë debatit.
Qeveria e kryeministrit grek, Alexis Tsipras dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, arritën marrëveshje në qershor të vitit 2018 për të ndryshuar emrin e Republikës ish-Jugosllave, në Maqedonia Veriore. Ata i dhanë fund kështu mosmarrëveshjeve për emrin që kanë ekzistuar për disa dekada, mes dy vendeve, me Greqinë, e cila ka bllokuar me veto hyrjen e Maqedonisë në BE dhe NATO.
Sipas marrëveshjes, pas ndryshimit të emrit, Greqia nuk do të jetë më pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare.
Para disa ditësh, qindra grek anarshistë ddhe anëtarë të Agimit të Artë u përleshën me policinë në shenjë revolte kundër vendimit të qeverisë Tsipras për të miratuar marrëveshjen e emrit të ri të fqinjit, i cili do të quhet Maqedonia Veriore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




