Eliminimi nga përfaqësimi në strukturat e Partisë Demokratike, si shkrirja e postit të sekretarit të Aksionit Qytetar dhe lënia jashtë Kryesisë, detyron deputetin Ervin Salianji të japë dorëheqjen nga posti i sekretarit të grupit parlamentar të kësaj partie. Largimin e ka bërë vetë demokrati me anë të në postimi në Facebook, i cili e sheh si pjesë e verdiktit dhe të marrjes së përgjegjësisë pas vendimeve të marra nga ana e Këshillit Kombëtar të PD-së.
“Falënderoj demokratët dhe miqtë që më kanë mbështetur dhe më mbështesin! Numërimi për kryesinë më nxori jo fitues me 1 votë, kjo matematikë duhet lexuar me përgjegjësinë e duhur. Ndaj duhet marrë koha e nevojshme për të vendosur se çfarë duhet të bëj më shumë për të merituar besimin, për të luftuar me qeverinë, apo të bëj opozitë më të fortë për të qenë përfaqësues i demokratëve për një fitore edhe në numra edhe në frymë. Gjykoj që çdo herë verdikti duhet lexuar qartë dhe duhen mbajtur përgjegjësi, mendoj që politika dhe Partia Demokratike ka nevojë për vendosjen e një standardi përgjegjësie, ku secili sipas funksionit mban përgjegjësi! Gjykoj që dorëheqja shumë shpesh e munguar në politikë duhet të kthehet standard!”, shkruan Salianji në Facebook.
Një status që ka të bëjë edhe si një mesazh ndaj lidershipit të PD-së në lidhje me marrjen e përgjegjësive në rast të humbjeve.
“Funksioni im politik si sekretar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike i takon të zgjidhet për parim nga kryesia e re, për këtë arsye jap dorëheqjen! Kjo me jep më shumë mundësi të takoj dhe dëgjoj demokratët për t’u përgatitur, dhe për të bërë fushate për të rifituar besimin e organeve te larta të partisë! Nga nesër, si përherë, do të jem në terren për të organizuar dhe mbështetur protestat e vendosura nga mbledhja e Këshillit Kombëtar! Largimi i Rames nëpërmjet protestave si objektiv i vendosur tashmë do jetë prioriteti dhe lufta e gjithë demokratëve, ashtu si dhe imja!”, thekson më tej Salianji.
Deputeti demokrat ishte një nga njerëzit e rinj që Basha solli në Partinë Demokratike, që shërbeu edhe me largimin të vjetërve në PD. Por pas afro katër vitesh, Salianji nuk merr asnjë post dhe madje lihet jashtë Kryesisë së re të demokratëve.
Përpara votimit të anëtarëve të Kryesisë, ai do të aludonte për intriga brenda PD-së, çka solli edhe largimin nga forumet drejtuese.
“Nuk ka rëndësi me top apo pa top, me intrigë, apo pa intrigë, unë luaj me zemër. Nuk kanë asnjë rëndësi funksionet drejtuese unë jam kandidat për kryesinë e PD dhe anëtar i PD-së. Kjo nuk ndikon unë do vazhdoj të punoj fuqishëm, por tani nuk ka rëndësi kjo vëmendja duhet të përqendrohet te protesta”, tha Salianji.
Edhe pse Salianji së bashku me Aldo Bumçin, Roland Bejkon, Gerti Bogdani dhe Luçiano Boçi fituan për të qenë anëtar të Kryesisë, ata u spsotuan nga lista për shkak të kuotës gjinore e cila parashikon 30% e anëtareve gra. Kështu ata u zëvendësuan me emrat e Grida Dumës, Dhurata Çupit, Orjola Pampurit dhe Izmira Ulqinakut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




