“Shpresë për Shqipërinë” është emri i partisë së re politike që do të krijohet nga studentët dhe intelektualët që kanë si qëllim madhor përmbysjen e këtij sistemi politik dhe si nisjen e një reforme të gjithanshme.
Pasi protesta e studentëve pati jehonën e saj, por duket se me mos zgjidhjen e plotë të kërkesave të tyre dhe zvarritjen pafund nga ana e qeverisë, një pjesë e studentëve dhe intelektualëve që i mbështesin, janë detyruar të krijojnë një lëvizje politike të re, e cila sipas tyre synon që të ndryshojë sistemin aktual qeverisës.
“Ne themeluesit e Partisë “Shpresë për Shqipërinë” jemi një grup studentësh, emigrantësh dhe intelektualësh. Ne nuk marrim përsipër të përfaqësojmë asnjë nga protestuesit, asnjë nga militantët, apo ata që për interesa të ndryshme i janë afruar protestës. Ne jemi bashkuar për një kauzë të re: Të ngjallim shpresën e shqiptarëve! Ne do të marrim fatet e vendit në dorë, dhe do ta bëjmë vetë Shqipërinë! Ne sot jemi disa. Nesër do bëhemi shumë!”, thuhet në një postim në Facebook të kësaj lëvizje të re.
Por ndërsa nuk bëhet e ditur se kush janë iniciuesit e kësaj lëvizjeje, ata theksojnë se arsyeja që po kërkohet që të dalim me emra, nuk është se njerëzit janë të interesuar për emrat. “Thjesht disa militantë hijena, po kërkojnë të shkëpusin një emër dhe ta shqyejnë politikisht. Ne jemi studentë të thjeshtë, emigrantë të thjeshtë, dhe intelektualë të rinj. Jemi në fazën e diskutimeve të brendshme, duke konsoliduar dhe figurat e reja, të cilat do të dalin nga ne. Çdo figurë tjetër publike, është e ftuar të bashkohet me ne, si mbështetje, por nuk do të jetë figurë qendrore! Çdo i ri, çdo e re, çdo familjar është i ftuar të bashkohet me ne”, shkruajnë në faqen e tyre në Facebook, duke kërkuar që të mos hedhin baltë për kauzën e tyre. Ndërsa mësohet se ende nuk kanë mbledhur firmat e nismëtarëve për t’i depozituar në gjykatë me qëllim regjistrimin si subjekt politik.

Platforma Antiestabilishment, republikë presidenciale
Një parti që synon të përmbys sistemin aktual politik, për të realizuar lëvizjen e njohur ndryshe si Antiestablishement. Kjo lëvizje ne anë të platformës 20-vjeçare thekson se do të kërkojë llogari për të gjitha padrejtësitë e bëra popullit, në këto 30 vitet e fundit, dhe nuk mund të ketë tjetërsim të kauzës së tyre. “Shpresë për Shqipërinë”, e cila do të identifikohet me emrin “Shpresa” propozon “Republikë Presidenciale-Kancelari”. Aplikim të një sistemi amerikan, por që do të ketë edhe një kryeministër të emëruar që dot mbajë titullin kancelar.
“Ne propozojmë që hierarkia e lartë e shtetit të ndryshojë, duke e shndërruar Shqipërinë në një Republikë Presidenciale, ku Presidenti zgjidhet me votë nga populli. Presidenti duhet të jetë figurë përbashkuese, dhe të emërohet kandidat, (ose edhe nëse vetë shpallet) vetëm për shkak të arsyeve të veçanta, dhe për kontributet publike. Partia politike, (apo koalicioni politik), i propozon krahas kandidatëve nëpër rrethe, dhe kandidatin për President, ose ky i fundit mund të kandidojë si i pavarur. (Pra në zgjedhjet e përgjithshme, përveç kandidatit për deputet, votohet edhe kandidati për president). Kandidati fitues, emëron Kancelarin, dhe të gjithë sekretarët e Shtetit”, thuhet në këtë platformë.
“Shpresë” propozon rrëzimin e menjëhershëm të Qeverisë Rama, duke i hapur rrugë krijimit të një qeverie të re gjithëpërfshirëse, jo-partiake, me mandat jo më shumë se 12 muaj, e cila të hartojë brenda këtij afati një reformë të denjë zgjedhore për shqiptarët.
Partia “Shpresë për Shqipërinë” kërkon që në ligjin e ri të parashikohet: – Ulja e moshës së votuesit nga 18 në 16 vjeç: Ne mendojmë se, duke qenë se Shqipëria ka një moshë relativisht të re, është e arsyeshme të ulet mosha e zgjedhësve më dy vite, pasi kjo moshë do të merrte në dorë fatet e vendit. Si edhe është mosha më e pa indoktrinuar, e cila sjell dhe votën pragmatiste në Shqipëri.
Sa i përket sistemit politik, propozohet ndryshimi ligji zgjedhor dhe i numrit të deputetëve të Parlamentit, duke e çuar në 150 nga 140 që janë aktualisht. “Ne propozojmë që Parlamenti të përbëhet nga 150 anëtarë, ku 20 nga anëtarët, t’i rezervohen ekskluzivisht emigrantëve. Ne propozojmë që 100 deputetë të zgjidhen drejtpërdrejt në mazhoritar, dhe 50 deputetë të tjerë të marrin mandatin nga lista proporcionale e partive, sipas përqindjeve, të cilët të pasqyrojnë shtresat e tjera të shoqërisë si: 20 emigrantë, 10 studentë, 10 minoritarë dhe pakicat, 10 invalidë, apo persona me aftësi ndryshe”, thuhet në këtë platformë.

Hetim që nga Nano, Berisha dhe deri te Rama
“Ne do të kërkojmë të hetohet montimi i sistemit të korrupsionit dhe nepotizmit, që gjen fillesat në qeveritë e Fatos Nanos, dhe vazhduan deri vonë, me kulmimin; futjen e kriminelëve në politikë dhe kriminalizimin e shoqërisë. Do të kërkojmë nxjerrjen para drejtësisë të arkitektëve të futjes së kriminelëve në politikë, dhe shpikjes së skemës së blerjes së zgjedhjeve”. Kjo është një nga pikat e platformës që synon hetim të të gjithë politikanëve dhe qeverive që kanë qenë që nga ’90 e ditët e sotme. Me anë të komisioneve parlamentare do të nisin një proces verifikimi dhe zbardhjen e të gjitha ngjarjeve që nga viti 1990 dhe deri në ditët e sotme, duke përfshirë hetimet për vrasjen e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, ngjarjet e ’97-ës, vrasjen e 21 janarit, etj.
Ndërsa sa i përket çështje së diplomacisë dhe marrëdhëniet me fqinjët, “Shpresa” është për anulimin e Paktit të Detar me Greqinë. Po ashtu është për anulimin e çdo projekti të dhënë me koncesion ose me PPP, si dhe nisjen e procesit të dekomunistizimit të shoqërisë dhe hapjen e dosjeve të regjimit komunist, miratimi i një ligji të ri të lustracionit.
Hetime për ngjarjet që parashikon Platforma politike
-Hetime për përfitimin ekonomik i partive politike gjatë këtyre 30 viteve. (buxhetet, burimet financiare, aferat).
-Abuzimet me “ndihmat” e dërguara nga OKB dhe partnerët në vitet 90. Kush i priti? Ku shkuan? Kush përfitoi?
-Grabitja dhe manipulimet e vazhdueshme të zgjedhjeve, do të merren në shqyrtim të gjitha zgjedhjet, prej viti 1990, e deri në ditët e sotme.
-Kush ideoi, dhe zbatoi vitin 1997? Gjetjen e përgjegjësve, dhe vënien e tyre para drejtësisë.
-Vrasjes së Azem Hajdarit. Rihapjen e çështjes, dhe dërgimin e përgjegjësve të vërtetë para drejtësisë.
-Do kërkojmë të hetohen vrasjet mafioze gjatë viteve 97, Tragjedia e Otrantos, Vrasja e Artan Santos, Vrasja e Ardit Gjoklajt, Vrasjet e oficerëve të policisë, Vrasjet e Gjyqtarëve, Gërdeci, Vrasjet e 21 janarit.
-Atentatet mafioze që po ndodhin në 5 vitet e fundit, dhe çështjet për të gjitha vrasjet e tjera dhe krimet e pazbardhura në këtë vend do të kërkohet të rihapen.
-Hetim i plotë i lidhjeve të mundshme mes Qeverisë, apo pushtetarëve shqiptarë me shkeljen e Embargos së Naftës në vitin 1999, dhe zbardhjen e çështjeve të mbetura pezull që prej atëherë në lidhje me këtë çështje
-Prapaskenat e marrëdhënieve me fqinjët, si edhe mbi të gjitha “Braktisjen e fshehtë” që shteti u ka bërë shqiptarëve në emigrim këto 30 vite.
-Hetim të gjithë “gangsterëve” të tranzicionit të cilët terrorizuan popullin në vitet 1997 e deri vonë, (komitetet e famshme të shpëtimit). Kush i financoi? Kush i mbështeti? kush i urdhëronte?
-Hetim të montimit të sistemit të korrupsionit dhe nepotizmit, që gjen fillesat në qeveritë e Fatos Nanos, dhe vazhduan deri vonë, me kulmimin; futjen e kriminelëve në politikë dhe kriminalizimit e shoqërisë.
-Do të kërkojmë nxjerrjen para drejtësisë, arkitektët e futjes së kriminelëve në politikë, dhe shpikjes së skemës së blerjes së zgjedhjeve.
-Do kërkojmë sqarime nga politika, dhe të nxirren përgjegjësitë, se; pse nuk plotësohen kriteret e vendosura nga BE në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat.
-Do kërkojmë rishikimin e të gjitha prokurimeve publike, në këto 30 vite. Tenderat, Prokurimet, PPP-të, Investimet Kombëtare, etj.
-Do kërkojmë anulimin e “Paktit të detit” me Greqinë. Shqipëria si shtet sovran nuk mund të bëjë marrëveshje territori, për asnjë arsye, në asnjë mënyrë!
-Do të shtrijmë procesin e “Dekriminalizimit” dhe “Vettingut” në të gjithë administratën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





