Lajme

Tenxehere me gjellë dhe me celularë në burgun e Lezhës!

Tentativat për të futur në institucionet e vuajtjes së dënimit sende apo objekte të paligjshme, kalojnë kufijtë e imagjinatës.

Familjarët e disa personave të burgosur kanë tentuar të fusin 3 celularë në burgun e Lezhës, por ato ishin fshehur brenda një tenxhereje. Kjo e fundit ishte e mbushur me gjellë dhe poshtë kishte një fund të dyfishtë.

Pas një kontrolli të imtësishëm të punonjësve të policisë së burgjeve është bërë e mundur edhe gjetja e celularëve. Materialet e çështjes i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për të vijuar hetimin e kësaj çështjeje dhe zbulimin e autorëve të saj.

Ky nuk është rasti i parë, kur sendet e ndaluara tentohen të futen në burgun e Lezhës. Pak muaj më parë, policia kapi një top futbolli të fryrë, që u hodh nga jashtë rrethimit të burgut dhe që në brendësi kishte 3 celularë.

Burimet nga burgjet nuk pranuan të flasin për personat e dënuar që do të merrnin tenxheren, por thanë se ngjarja po hetohet bashkë me Prokurorinë.

Ndërsa brenda vetëm gjatë muajit janar 2019 policia e burgjeve ka mundur të kapë 15 celularë, që tentonin të futeshin apo ishin futur në burgje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë