Politike

Ruçi: Nuk jam penduar për votën e Metës si President

Përkundër sulmeve të eksponentëve të mazhorancës si dhe ndjesës publike së zgjedhjes së Ilir Metës si President i vendit, kryeparlamentari Gramoz Ruçi shprehet se nuk është bërë pishman me votën e tij.
Këtë qëndrim e mbajti sot Ruçi në konferencën për shtyp, duke shuar kështu konfliktin e hapur mes presidentit dhe mazhorancës sa i përket çështjes së dekretimit të ministrave. Ruçi do të ishte personi që do të nxiste Metën për të kandiduar për postin e presidentit, në kohën kur Parlamenti ishte në raundin e katërt të votimit në 2017-ën.
“Lidhur me deklaratën time para raundit të katërt, nuk jam bërë pishman. Ka qenë një deklaratë e cila përfaqësonte jo vetëm mendimin tim, por edhe sikur të përfaqësonte mendimin tim si kryetar të grupit, përsëri theksoj dhe sot e kësaj ditë nuk kishte luksin Shqipëria që të kalonte nga zgjedhje në zgjedhje”, do të deklaronte sot pas afro dy vitesh Ruçi.
Më tej ai theksoi se “unë nuk jam pishman për votën që jap dhe për qëndrimet për këtë çështje. Nuk kam pritur që presidenti të operojë sipas orekseve politike elektorale dhe partiake. Kam pritur edhe pres që presidenti i vendit të zbatojë ligjet e kushtetutën e vendit”.

Dhe në këtë prizëm Ruçi ka argumentuar edhe çështjen e mos dekretimit të ministrit të Jashtëm, duke i kujtuar Metës se në bazë të nenit 1 të Kushtetutës, Shqipëria është një Republikë Parlamentare, duke nënkuptuar se Presidenti nuk ka të drejtë të mos dekretojë propozimet, pasi për ato vendos Parlamenti.

“Neni 93 i Kushtetutës thotë se Presidenti i Republikës nxjerr dekrete dhe duhet të shprehet me dekrete. Që do të thotë që edhe kur ka kundërshtim duhet të nxjerrë atë dekret, sepse është kompetencë e Kuvendit që të shprehet si për pëlqimin, si për mospëlqimin. Parlamenti nxjerr vendimin qoftë për pëlqimin qoftë për mospëlqimin, qoftë për emërim, qoftë për shkarkim” deklaroi ai.

Gjithsesi kryeparlamentari theksoi çështja që shkaktoi një krizë institucionale do të jetë objekt i dërgimit në Gjykatën Kushtetuese. Refuzimi për të emëruar Gent Cakajn në postin e ministrit të Jashtmë, bëri që mazhoranca të sulmonte ashpër presidentin. Që nga kryeministri dhe deri te deputetët, Meta u cilësua si një shkelës i Kushtetutës dhe madje si një president që po kthehej në një lider të opozitës.

“Zoti President, ne s’ju pengojmë dot të jeni Iliri qesharak që kemi njohur më shumë se sa njëherë kur liderja e LSI i’a fut kokën në çizmen e saj! Por këto bumjet tuaja që po e bëjnë edhe Bujar Nishanin të duket si Xhefersoni, nuk impresionojnë dot askënd. Ne s’jemi as PD, as LSI dhe s’kemi ndërmend të humbasim kohë me konflikte të kota me ju. Sepse ju s’keni asnjë shans dhe s’do keni asnjë mundësi të pengoni as punen tonë dhe as Reformën në Drejtësi, që e di Shqipëria dhe bota se sa shumë e dëshironi të realizohet. Por meqë ju kemi dhënë votën si President, ju ftojmë të ruani qetësinë sa të mundeni sepse duke u bërë ju qesharak, sigurisht edhe ne nuk ndjehemi mirë”, do të ishte një status i kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla.

Më pak ministra të PS, Ruçi: Asnjë problem
Kryeparlamenti Gramoz Ruçi ka komentuar edhe ndryshimin e kabinetit qeveritar, ku tashmë pjesa më e madhe e ministrave nuk janë përfaqësues me peshë në PS.
Si një politikan i vjetër, Ruçi do të komentonte se tashmë Shqipëria nuk është në sistemin e partisë shtet, duke nënkuptuar se ishte parimisht pro propozimeve të Ramës për ministrat. “Sistemi që lamë pas ishte i partisë shtet, sistemi që jemi është sistemi i partisë në pushtet, por kjo nuk do të thotë se kur je në pushtet të jenë anëtarët e forumeve dhe partisë në pushtet. Çdo parti që vjen në pushtet, nuk vjen me votat e anëtarësisë së vet, pasi maksimumi ka 100 mijë, i duhen 700 mijë dhe në dijeninë time logoja e fushatës ka qenë ‘bashkëqeverisja me qytetarët’’, theksoi Ruçi.
Kryeparlamentari kishte një apel për shumicën dhe opozitën për gjetjen e konsensusit për reformën zgjedhore, pasi sikur tha ai, KQZ ka nevojë për librin e rregullave. “Apeloj pozitën dhe opozitën që ditët që na kanë mbetur të mos kthehen në muaj. KQZ ka nevojë për librin e rregullave. Draftin e depozituar nga PS-ja nuk e fus në votim, opozita dhe pozita të bashkëpunojnë, do të fus në votim vetëm draftin e komisionit”, theksoi Ruçi.
Kryetari i Kuvendit komentoi edhe paralajmërimin e opozitës për protesta. “Opozita nuk merr leje nga ju apo unë për protestat. Unë do të ndikoj në të gjitha hapësirat e mia, që të garantohet hapësira, integriteti dhe normaliteti. Nuk mendoj se vendi jonë është në krizë, ka probleme si çdo vend, por nuk mendoj se është në krizë. Duhet të jemi më realistë për ta vlerësuar më shumë me sy dashamirës realist arritjet dhe zhvillimet në vend”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë