Këshilli Studentor i Universitetit “Fan Noli” në Korçë, ka paralajmëruar se nesër do të nisë ngujimin në ambientet e Fakultetit Ekonomik, në shenjë solidarizimi me studentët e disa universiteteve të tjera.
Në një njoftim, bëhet me dije se pavarësisht nga temperaturat e ulëta, studentët do të ngujohen deri në plotësimin e kërkesave.
Studentët e këtij universiteti kërkojnë rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë si dhe plotësimin e kërkesave nga rektorati.
“Ditën e sotme, datë 17.1.2019 pas mbledhjes së senatorëve të Fakultetit Ekonomik në unanimitet u mor vendimi për të filluar ngujimin. Studentët e Fakultetit Ekonomik ju bëjnë thirrje të gjithë studentëve të fakulteteve të tjera për tu bashkuar dhe për të luftuar deri në realizimin e plotë të kerkesave dhe të drejtave tona. Kauza jonë është shumë e qartë:
1- Rrëzimi i Ligjit të Arsimit të Lartë
2- Plotësimi i 17 kërkesave drejtuar Rektorit, të cilat nuk janë përmbushur edhe pse ka kaluar afati i realizimit të tyre.

Ditën e nesërme le të bashkohemi të gjithë në ngujim për të kërkuar të drejtat tona! Ne nuk gënjehemi me pak! Ne meritojmë më të mirën! Studentët e bashkuar kanë për të fituar!’, thuhet në vendimin e tyre
Ndërkohë, ditën e sotme në Tiranë, disa universitete kanë bërë mësim, ndërsa disa të tjerë kanë bojkotuar, duke vazhduar protestën për rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë dhe të uljes së tarifave studentore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




