Opozita ka braktisur seancën plenare për votimin e dekreteve të Presidentit për ministrat e rinj, vetëm pak minuta pas nisjes së saj. Shkak për largimin e opozitës është bërë vendimi i kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi për të mos lejuar zhvillimin e debatit për votimin e dekreteve te presidentit Meta, i cili u zhvillua pa debat.
Pas daljes nga salla, kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi se Rama mbylli opozitarizmin. “Sot ishte akti i rënies së qeverisë. Për herë të parë në 28 vite demokraci, opozita kërkon debat parlamentar për t’i treguar qytetarëve shqiptarë të vërtetën pas këtyre emërimeve dhe kukullave të oligarkëve. Ky është një akt i dukshëm që Kuvendi është marrë peng”, tha Basha.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr nga Kryeministri Rama dhe u miratua në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve. Seanca nisi me debate. Opozita kërkoi nga kreu i Kuvendit të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj.
“Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit, por kemi bërë kërkesë që shqyrtimi i dekreteve për ndryshimin e qeverisë bëhet me debat. Kemi paraqitur listën e folësave për çdo grup parlamentar. Mbi bazën e kësaj kërkese kërkojmë të zhvillohet debat, sepse na mbështet rregullorja dhe Kushtetuta. Njofto që do të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e Ministrave Të pranishëm në seancë janë edhe deputetët e opozitës”, u shpreh Spaho.
Ndërsa Taulant Balla tha se: “Në procedurë 27 vite parlamentare kur dikush ngre një shqetësim për procedurë, procedura ka një diskutim pro dhe një diskutim kundër”.
Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha ka bllokuar foltoren, ndërsa ka nisur të flasë pa mikrofonin hapur.
Ndryshimet që u votuan
Ikën Arben Ahmetaj, vjen Anila Denaj
Ikën Damian Gjiknuri, vjen Belinda Balluku Ikën Mirela Kumbaro, vjen Elva Margariti
Ikën Lindita Nikolla, vjen Besa Shahini
Ikën Sonila Qato, vjen Eduard Shalsi
Ikën Niko Peleshi, vjen Bledi Çuçi
Ikën Senida Mesi, vjen Erion Braçe
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




