Në kulmin e debatit politik dhe të përplasjes institucionale mes kryeministrit dhe presidentit, kreu i shtetit, Ilir Meta i ka drejtuar një mesazh partive përpara nisjes së sesionit të ri Parlamentar.
Duke folur në konferencën për prezantimin e mesazhit të Papa Françeskut: “Politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral, por dhe kombëtar”, presidenti ka kërkuar më tepër dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës.
“Një ‘politikë e mirë dhe në shërbim të paqes’ do t’i shërbente çdo angazhimi serioz që do të nxiste të rinjtë tanë të qëndronin në Shqipëri, që do t’i mbështeste aftësitë, potencialet dhe pasionet e tyre për të realizuar ëndrrat në vendin e tyre, do t’u lehtësonte arsimimin dhe përgatitjen profesionale për t’i shërbyer atdheut, familjes dhe paqes së qëndrueshme dhe afatgjatë në vendin tonë të mrekullueshëm. Politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral e njerëzor, por edhe kombëtar”, tha Meta në fjalimin e tij.
Në të njëjtën kohe presidenti lëshoi mesazhin e tij në adresë të partive politike.
“Meqenëse jemi në fillim të këtij viti, por edhe të sesionit të ri parlamentar, mbështes plotësisht mesazhin e Imzot Frendos për rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit në interesin më të mirë e kombëtar, jo vetëm midis qeverisë dhe opozitës, por edhe për më shumë dialog kudo, në Kuvend, në shoqëri, në komunitet e në familje. Vetëm kështu do të kemi më shumë paqe dhe begati për të gjithë”, theksoi Meta.
Kuvendi pritet të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për votimin e dekreteve të ministrave të rinj të qeverisë Rama. Por presidenti po mban pezull dekretimin për shkarkimin dhe emërimin e ministrit të Jashtëm. I pyetur pas takimit për dekretin si dhe në lidhje me kërkesën e kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla që ta dekretojë sot në ora 17:00, propozimin e ri për caktimin si ministër të Jashtëm, kryeministrin Edi Rama, presidenti deklaroi pa e fshehur ironinë: “Kush është Balla, Kryetari i Këshillit të Sigurimit? Kushtetuta është e para”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




