Lajme

Ministrja e re Arsimit, Shahini: Studentët po bllokojnë sekretaritë

Ministrja e re e Arsimit, Besa Shahini nëpërmjet një deklarate për median i ka bërë thirrje studentëve që kanë bllokuar disa nga fakultetet si rezultat i ngujimit, që të mos bëhen pengesë e punës së sekretarive për shkak se nuk po hartohen listat e studentëve që përfitojnë nga vendimet e qeverisë për përfitimin në bursa apo dhe përgjysmimin e tarifave.
“Nëpër fakultetet ku ka ende proteste, ku janë duke penguar mësimin, ka pasur raste ku janë penguar sekretaritë që të punojnë, apo janë penguar studentët që të shkojnë te zyrat e sekretarive. Aty për fat të keq ka qenë e pamundur që të kemi persona nga ministria e Arsimit t’ju asistojnë juve. Kështu që është e rëndësishme që t’ju bëj ftesë, por edhe universiteteve edhe studentëve që janë duke protestuar që të mundësojnë punën e sekretarive dhe pjesëmarrjen e personave nga Ministria e Arsimit që të mund t’ju asistojnë ju me pyetjen që ju keni. Është edhe një gjë në rastet kur sekretaritë nuk funksionojnë ne nuk po e marrim informacionin e duhur për listat e studentëve që janë përfitues të bursave, që janë përfitues nga përjashtimi nga tarifat dhe kjo pastaj e vonon procesin e përfitimit e marrjes së bursave dhe të përjashtimit të tarifave. Pra sekretaritë që janë të bllokuara po e pengojnë procesin për të zgjidhur procesin dhe për të nisur zbatimin dhe implementimin e VKM-ve për tarifat. I bëj thirrje studentëve edhe një herë që të mos i bllokojnë sekretaritë”, tha ministrja Shahini.
Ministrja e re e Arsimit ndërkohë ka bërë të ditur se në portalin Shqiperiaqeduam.al do te ketë rubrikë për studentet për të sqaruar në lidhje me zbatimin e VKM-ve për studentët. Është rubrika “Unë jam student dhe kam një pyetje”, por sipas Shahinit edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit në Facebook do të krijohet edhe një rubrikë e re për studentët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë