Lajme

ERE nis procedurën për të licensuar TAP-in

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë ka vendosur të nisë procedurën për të licensuar TAP-in (Trans Adriatic Pipeline AG), për të ushtruar aktivitetin e Transmetimit të Gazit Natyror për një afat 25 vjeçar pasi kompania ka bërë kërkesë për licencim.
Në njoftimin e Entit Rregullator të Energjisë thuhet se institucioni i ka kërkuar kompanisë së gazjellësit që të paraqesë një sërë dokumentesh, të cilët duhet të plotësojnë dosjen për të marrë licencën.

Duke iu referuar bazës ligjore përkatëse dhe nisur nga korrespondenca me kompaninë, ERE citon në njoftim se Trans Adriatic Pipeline AG, me shkresën Nr. 803 Prot, datë 24.12.2018 ka paraqitur pranë ERE-s, aplikimin për t’u pajisur me licencë në aktivitetin e Transmetimit të Gazit Natyror. TAP konform ligjit është certifikuar më parë si operator i pavarur i transmetimit të gazit natyror.

Fillimi i procedurës për shqyrtimin e kërkesës për licencim të TAP AG ka për qëllim vazhdimësinë normale të punës në tregun e gazit natyror të ketij subjekti. Nga ana tjetër i gjithe procesi i shqyrtimit të këtij aplikimi do të kryhet në përputhje me “Rregulloren për procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin dhe heqjen e licencave në sektorin e Gazit Natyror” thuhet në vendimin e ERE.

Gazsjellësi TAP është një nga investimet më të rëndësishme në Shqipëri duke i dhënë benefite të konsiderueshme ekonomisë shqiptare.
TAP është një projekt prioritar i Bashkimit Europian dhe i Komunitetit të Energjisë, një organizëm ndërkombëtar që mbledh sëbashku BE dhe fqinjët e tij për të krijuar një treg pan- Europian energjie të integruar.

Gazsjellësi prej 878 kilometrash do të nisë në kufirin Greko/Turk, përmes Shqipërisë dhe, pasi të kalojë nën detin Adriatik, do të përfundojë në Italinë e Jugut. Kjo konstituon segmentin final të Korridorit Jugor të Gazit, një rrugë furnizimi për të transportuar gaz prej detit Kaspik në Europë.

Me një kapacitet vjetor fillestar prej 10 mld metër kub – të barabartë me konsumin e energjisë përafërsisht të shtatë milionë familjeve në Europë – gazsjellësi do të japë një kontribut domethënës në diversifikimin e furnizimit me energji. Shpërndarja e parë me gaz pritet të bëhet në vitin 2020.

Gazjellësi do të transmetojë gaz nga fushat e Shah Deniz na Azerbajxhan drejt Europës. Sakaq secili nga vendet ku kalon gazsjellësi mund të shfrytëzojë avantazhet që i jep ky investim lidhur me shfrytëzimin e gazit sipas marrveshjeve të dakordësuara mes palëve.
TAP ka përmbyllur pak ditë më parë projektin financiar me kosto 3.9 mld euro, fond i siguruar nga huadhënës publik dhe privat.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është pjesë e këtij konsorciumi me një kredi prej 1 mld euro bashkangjitur në një grup prej 16 bankave tregtare me 500 milionë euro që ofrohen në llogarinë e Bankës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë