Kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë sot pasdite grupin parlamentar për të vendosur mbi aksionin politik të opozitës në lidhje me qëndrimet që do të mbajë për dekretet e ministrave dhe mbi të gjitha nëse do të bëhen pjesë aktive e Parlamentit ose jo.
Disa ditë më parë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka do të deklaronte se ideja është për mos marrjen pjesë në Parlament, por që vendimi final do të merret në bashkëpunim me aleatët.
Po cili do të jetë aksioni i opozitës për 2019, i cili përkon me vit elektoral të zgjedhjeve lokale?
Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një interviste të dhënë në Ora News duket se i ka paraprirë qëndrimit të opozitës, duke paracaktuar kushtet e reja. Duke hedhur poshtë çdo mundësi për arritjen e një marrëveshje politike me kryeministrin Rama si ajo 17 majit 2017, Basha ka theksuar se nuk do të ketë zgjedhje me këtë qeveri aktuale, duke kërkuar një qeveri tranzitore.
“Qeveri tranzitore do të thotë një qeverisje që të përgatisë kushtet për zgjedhjet që nuk do të jenë peng i krimit dhe parave të drogës dhe të korrupsionit, ku qytetarët do të krijojnë atë hapësirë…duke rifituar Parlamentin, duke i marrë parlamentin e lidhur me krimin duke ia kthyer qytetarëve, me një sistem elektoral… Këtë do ta bëjnë forcat politike, por nuk mund ta bëj një kryeministër, ekzistenca politike e të cilit varet nga ai model që ka zgjedhur për të mbijetuar për interesa të një grushti oligarkësh dhe kriminelësh si Klement Balili”, deklaroi Basha.
Më tej ai theksoi se zgjidhja politike e opozitës është “për t’i rikthyer sovranit një Parlament dhe përmes Parlamentit një qeveri, e cila i shërben interesit të qytetarëve. Pra largimi i këtij kryeministri, dhe një qeveri tranzitore që përgatit reformat kyçe dhe zgjedhje të lira e të ndershme si dhe i jep shanse maksimale Shqipërisë që të hapë negociatat me Bashkimin Europian dhe menjëherë pas kësaj pastaj kalimi në zgjedhje të parakohshme parlamentare”.
Ndërsa pritet që në mbledhjen e sotme të grupit, Basha t’i kërkojë deputetëve që të jenë prezent në seancën e sotme parlamentare.
Gjithashtu kryedemokrati pritet që të mbledhë edhe krerët e koalicionit opozitar për të shpallur qëndrimin mbi aksionin politik. Ndërsa një pjesë e aleatëve të PD-së, si Agron Duka i PAA-së apo Fatmir Mediu i PR-së kanë kërkuar që opozita të jetë pjesë e Parlamentit, duke i dhënë fund bojkotit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




