Partia Socialiste nuk del kundër kërkesës së opozitës për të nisur ngritur një komision hetimor parlamentar mbi mënyrën e dhënies së certifikatë së Sigurisë nga ana e DSIK-së për Gent Cakajn, i propozuar nga kryeministri Edi Rama në postin e ministrit të Jashtëm.
Qëndrimi pro i PS-së për komisionin hetimor është bërë publik në mbledhjen e konferencës së kryetarëve nga ana e kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla, i cili theksoi është dakord në parim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e DSIK, duke shtuar se i kanë edhe emrat gati për këtë komision.

Por socialisti ka theksuar se nisma duhet të jetë në përputhje me ligjet në fuqi. “Kur bie fjala për komisionet hetimore deri më sot nuk ka ndonjë kërkesë nga ana e opozitës që të jetë refuzuar prej nesh. Pavarësisht se në shumicën e rasteve kërkesat bien në kundërshtim me parashikimet e kushtetutës. Jemi dakord në parim me kërkesën, e cila në kalimin nga kërkesë në vendim të Kuvendit duhet të jetë e qartë në përcaktimet që bën ligji për komisionet hetimore i vitit 2002, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duhet që vendimi duhet të jetë i qartë edhe sa i përket parashikimeve në ligjin për informacionin e klasifikuar. PS i ka gati emrat për anëtar të komisionit, opozita nuk ishte ende gati për emrat”, deklaroi Balla.
Marrja brenda 24 orëve të certifikatës së sigurisë nga ana e Gent Cakajt ngriti dyshime nga ana e presidentit të Republikës, Ilir Meta për mënyrën e veprimit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, nëse kishte kryer një vettim të plotë të kandidatit për ministër të Jashtëm ose jo. Kjo bëri presidenti t’i drejtohej me anë të një letre Kuvendit të Shqipërisë, kryeparlamentarit Ruçi dhe krerëve të grupeve parlamentare për ngritur një komision hetimor parlamentar në lidhje me këtë çështje.
Pas kësaj letre, opozita paraqiti kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen e veprimtarisë së DSIK-së.
Reforma zgjedhore, Balla: BE po negocion
Kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla ka lëshuar një apel sa i përket reformës zgjedhore, duke i kërkuar opozitës që të votojnë për amendamentet e paraqitura për ndërsimin e Kodit Zgjedhor. Lidhur me reformën zgjedhore, Balla tha se janë gati për të pilotuar në 200 qendra, votimin dhe numërimin elektronik.
“Jemi në kohë për të pilotuar në 200 qendra votimi, të paktën aspektet e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, qoftë votim tërësor elektronik, të numërimit elektronik. I kemi mundësitë të bëjmë që në zgjedhjet e 2019. Në rast se kjo teknologji rezulton funksionale le të bëhemi gati në kohë për të parë në nivel kombëtar në zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2021. Unë dua të rikujtoj, për PS e vetmja kërkesë ka qenë çështja e votimit jashtë territorit. Kjo nuk lidhet me zgjedhjet e 30 qershorit, por me zgjedhjet e fund qershorit 2021. Me të miratuar reformën zgjedhore të fillojmë punën për adresimin e këtyre çështjeve”, theksoi Balla.
Ai bëri të ditur se ambasadori i BE-së, Luigi Soreca po kryen rolin e ndërmjetësuesit me opozitën për të arritur një konsensus në lidhje me reformën zgjedhore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




