Parlamenti do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të miratuar dekretet e presidentit për dekretimin e ministrave. Sipas burimeve të mërkurën me datë 16 Janar është vendosur thirrja e seancës ku në rendin e ditës janë për të votuar dekretet për shkarkim dhe emërim të ministrave.
Nesër pritet të mblidhet Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, ku kryetar i Kuvendit, Gramoz Ruçi pritet të paraqesë kërkesën për mbledhjen e seancës përpara datës 21 janar për shkak se dekretet e presidentit për emërim dhe shkarkim ministrash skadojnë si afate.
Partia Socialiste ka vendosur që të japë shembullin ndryshe nga presidenti Meta, duke zbatuar afatet për dekretet e ministrave.
Kryesia e PS-së vendosi sot që të mos zgjasë konfliktin me presidentit Meta, duke bërë që kryeministri Edi Rama të mbajë postin e ministrit të Jashtëm.
Nëpërmjet një statusi në Twitter, kryeministri Edi Rama deklaori se “Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues.Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”.
Kreu i mazhorancës paraqiti në Presidencë kërkesën për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe për të emëruar vetë kryeministrin në postin e kryediplomatit.
Në PS mendojnë se presidenti nuk mund të bëhet pengesë për dekretin për shkarkimin e eërimin e ministrit të ri të Jashtëm.
Më 5 janar, presidenti firmosi shkarkimin e të gjithë ministrave të propozuar nga Rama, duke lënë pezull vetëm emrin e Ditmir Bushatit.
Ndërsa dekretoi emërimet e ministrave të emrave politik si zv.kryeministrin Erjon Braçe, Eduard Shalsin si ministër i Shtetit për Sipërmarrjen, Elisa Spiropali si ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, të Bledi Çuçit si ministër i Bujqësisë, duke lënë pezull emrat e rinj të ministrave teknik.
Vetëm më 9 janar, presidenti firmosi emrat e Belinda Ballakut si ministre e Infrastrukturës, të Besa Shahinit si ministre e Kulturës, Anila Denaj si ministre e Financave dhe Elva Margariti si ministre të Kulturës.
Por Presidenti nuk pranoi të firmoste propozimin e kryeministrit për emërimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, duke bërë që niste përplasja e fortë institucionale mes Ramë dhe Metën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




