Lajme

I bllokuar në dëborë prej 9 orësh, FNSH shpëton të riun në Shkodër

Një i ri nga Shkodra që ishte bllokuar në fshatin Ndërmollas të njësisë Postribë nga reshjet e dendura të dëborës është shpëtuar në mbrëmje nga policia.

Është dashur ndërhyrja e FNSH-së për t’i shpëtuar jetën 24-vjeçarit Mursel Sykaj, i cili kishte mbetur i bllokuar që prej orës 10:00 të paradites.

Mësohet se i riu po kthehej drejt stanit të tij, ku momentalisht ndodhet bashkë me familjen, por ka mbetur në mes të borës në një zonë ku trashësia shkonte në 1 metër e 80 cm.

Sykaj ka njoftuar të afërmit në celular se kishte mbetur i bllokuar dhe ata më pas kanë kontaktuar Shtabin e Emergjencave Civile. Fillimisht një helikopter është nisur për ta marrë, por tentativat e helikopterit kanë dështuar pasi terreni e pengonte pilotin të bënte ulje në zonë.

Situata ka marrë zgjidhje vetëm me ndërhyrjen e disa grupeve të FNSH-së dhe banorëve të zonës që nga Prekali. Pas rreth dy orësh ecje në këmbë në mes të borës është arritur që 24 vjeçari të gjendet dhe të shpëtohet nga bllokimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë