Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur vitin 2019 në daljen e tij në mbështetje të banorëve të “Astirit”, të cilët edhe sot kanë dalë të protestojnë kundër shembjes së shtëpive që përfshihen në projektin e qeverisë për ndërtimin e rrugës.
Lideri i opozitës shpërtheu në akuza kundër kryeministrit Edi Rama dhe tha se “qëndresa e banorëve përmbysi gjysmën e qeverisë, ndërsa gjysmën tjetër do ta përmbysë shumë shpejt”.
“Asgjë nuk është më e fuqishme sesa një kauzë e vërtetë e mbështetur nga njerëz të bashkuar . Merita e madhe e këtyre banorëve është se vegla më tinëzare e Edi Ramës, përçarja përmes kërcënimeve, shantazheve e propagandës nuk pi ujë. Nuk ja dolën t’i përçajnë këta banorë. Këta banorë me qëndresën e tyre e çanë në gjysmë qeverinë. Një gjysmë ja kanë hedhur në lanë dhe gjysmën tjetër do t’ja hedhin në Lanë shumë shpejt”, tha Basha.
Kreu i PD shtoi se denoncimet e opozitës faktuan lidhjen mes kompanisë fantazëm që kishte marrë tenderin dhe planit për të zhvendosur Lanën për llogari të biznesmenit, siç e cilëson ai, trafikantit Edmond Bego.
“Lajmi sot është ajo që ka zbuluar “Zëri i Amerikës”, pasi ne e kemi thënë që kjo është një aferë. Të gjithë e dinë se si nisi kjo aferë. U turrën pa marrë leje për të prishur shtëpitë, pa çarë kokën për banorët. Banorëve i vërsulën policinë e shtetit dhe atë bashkiake, nga Rama te Veliaj e Gjiknuri hidhnin vallen e hienave duke shantazhuar banorët. Qëndresa e banorëve, bashkë me opozitën dhe disa gazetarë nxorën aferën korruptive të një kompanie fantazëm, të një plani për të zhvendosur Lanën dhe për të shkatërruar shtëpitë e banorëve që të mos prekej rezidenca e një trafikanti droge”, deklaroi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




