Politike

Beteja për dekretin e fundit, Rama troket në zyrën e Metës

Presidenti Ilir Meta bëri një lëvizje të radhës duke dekretuar katër emrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama për postin e ministrave. Dy ditë përpara skadimit të afatit, Meta firmosi për emërimin si ministër Anila Denajt te Financat, Besa Shahinit të Arsimit, Belinda Balluku te Infrastruktura dhe të Elva Margariti si ministre e Kulturës.
Ashtu si edhe me shkarkimet e ministrave dhe për emrat e propozuar, kreu i shtetit ka lënë pezull dekretin për ministrin e Jashtëm.
Shkarkimi i Ditmir Bushatit dhe emërimi i Gent Cakajt si ministër i Jashtëm ka detyruar kryeministrin Edi Rama që të shkojë për herë të dytë në zyrën e presidentit Ilir Meta për të diskutuar mbi emrat e ministrave.
Burimeve të Gazeta SI pranë Presidencës bënë të ditur se shefi i qeverisë pati një takim “kokë më kokë” me kreun e shtetit, ku në fokus kanë qenë diskutimet për dekretet e ministrave që ishin pezull. Takimi mësohet se u mbajt para se Presidenti të publikonte katër dekretet për emërimin e ministrave.
Çështja e ministrit të Jashtëm është përplasja më e fortë mes dy krerëve të lartë të shtetit, pasi një sinjal i tillë u dha nga vetë presidenti përpara se të firmoste katër ministrat.
“Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën për sa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”, tha ai pas një takimi për dhurimin e gjakut të zhvilluar në Kavajë.
Meta bëri të qartë se ishte në pritje të informacioneve të institucioneve të specializuara në lidhe me kandidaturat e paraqitura për ministra, kjo duke nënkuptuar kandidaturën e Cakës, i propozuar në postin e kryediplomatit.
“Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”, theksoi presidenti.
Ky është takimi dytë që Rama zhvillon me Metën. I pari për këtë vit ishte më katër janar ku u paraqitën zyrtarisht emrat për 17 emërimet dhe shkarkimet e ministrave. Afati për dekretet përfundon të premten. Presidenti ka deklaruar se do të mbajë qëndrim brenda këtij afati. Takimi i së mërkurës mes Metës dhe Ramës, duket se mbart në vetvete dhe arsyet se pse presidenti ka rezerva të tij për firmosjen e emrit të Gent Cakajt si kryediplomat. Gjithashtu presidenti ka shprehur rezerva dhe për mënyrën e largimit të Bushatit.
“Për sa i takon ministrit të Jashtëm do të bëj një sqarim: Mendoj se ky është një pozicion tepër i rëndësishëm dhe delikat. Çdo pozicion ministri është i tillë, por arsyet rreth përfshirjes së Shqipërisë në disa iniciativa mjaft të rëndësishme si në Trojkën e OSBE-së, në…vazhdimësie, për arsye të integrimit europian dhe për çdo gjë tjetër. Dhe mendoj se Shqipëria nuk duhet të jetë për asnjë sekondë pa ministër të Jashtëm”, do të deklaronte Meta në një intervistë të fundit dhënë për NEWS 24.
Kjo është përplasja e dytë mes Presidentit dhe Kryeministrit sa i përket dekreteve të ministrave. Konflikti i parë institucional ndodhi në tetor të vitit të shkuar, ku presidenti shprehu rezerva për emërimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm. Ai refuzoi të dekretonte, duke deklaruar se kishte krijuar mos bindje për Lleshajt, e më pas arsyeja ishte fakti se i propozuari rezultonte të ishte ushtarak aktiv.
Pas këtij refuzimi, Rama paraqiti edhe një herë kërkesën për dekretimin e Lleshajt, duke i dërguar më pas edhe kërkesën për lirim i gjeneralit si ushtarak. Vetëm në këtë mënyrë i zgjidh u konflikt.
Për kandidatuën e Cakajt ka dalë kundër edhe opozita, madje ata i kërkojnë presidentit që ta mos ta dekretojë. Ndërkaq Meta ka bërë të ditur se për këtë çështje do të bëjë transparencë, duke premtuar se do të japë edhe arsyet e mos firmosje së dekretimit të Cakajt si ministër i Jashtëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë