Politike

Mandati i kreut të KLSH, Meta i kthen përgjigje Leskajt dhe Ruçit

Në një kohë që kreut të KLSH-së i ka mbaruar mandatit, presideenti Ilir Meta ka kërkuar që Bujar Leskaj të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Përmes një shkrese, Meta ka bërë me dije se momentalisht po shqyrtohet një kandidaturë e re për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë, Meta ka rikujtuar se propozimi i tij më datë 5 nëntor i vitit 2018, ka qenë gjyqtarja Vitore Tusha.

“Për sa i takon ushtrimit të mandatit si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përfundimit të afatit 7-vjeçar të tij, kjo çështje është e zgjidhur nga vet ligji nr 154/2014 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shteti’ ku në nenin 24 parashikohet shprehimisht se: “Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit të Lartë të Kontrollit të Shtetit, ky i fundit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Kryetarit të Ri”, thuhet ndër të tjera në letrën që Presidenti Ilir Meta i ka dërguar Leskajt, dhe për dijeni të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Letra vjen teksa Leskaj, pas përfundimit të mandatit, i delegoi kompetencat e kryetarit të këtij institucioni, zv/Kryetares së KLSH-së, Lindita Milo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë