Banorët e “Astirit” vijojnë protestën e tyre duke bllokuar edhe rrugën, teksa kërkojnë anulimin e projektit të “Unazë së Re”, pasi sipas tyre tërësisht korruptiv.
Në ditën e 66 të protestës, banorët u shprehën se kauza e tyre do të vijojë deri në kohën kur projekti të anulohet. Në mbështetje të tyre ishin edhe deputetë të opozitës së bashkuar. Deputeti demokrat, Klevis Balliu kishte një mesazh të qartë për kryeministrin Rama.
“Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme duhet të thërrasë menjëherë në Prokurori Edi Ramën, si kryetari i kësaj mega-afere dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të kësaj afere korruptive. Sot nuk ka më asnjë dyshim që projekti i unazës është një projekt i korruptuar”, u shpreh Balliu.
Më tej ai tha se të gjithë të bashkuar ata e kanë vërtetuar tashmë se nuk do stepen nga qëndrimi i tyre. “Do të vazhdojmë të rrimë këtu deri në momentin që ky projekt të anulohet. Edi Rama nuk të ka mbetur asnjë opsion tjetër përveçse anulimi i projektit, ose në të kundër ne do ta anulojmë projektin bashkë me ty dhe qeverinë”.
Sipas Balliut, “Rama dhe qeveria e tij duhet ta marrë qartë mesazhin: larg duart nga unaza, larg duart nga studentët se në të kundërt do të përballesh me forcën e këtyre qytetarëve dhe studentëve që do të japin shuplakën përfundimtare”, theksoi deputeti demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




