Lajme

Protesta, do të përshkallëzohet sot para disa institucioneve

Edhe pse dy ditët e fundit duket sikur ka një zbehje, studentët kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën e tyre për plotësimin e 8 kushteve nga qeveria.

Pasi protestuan sot pranë Ambasadës Amerikane, studentët kanë paralajmëruar edhe për ditën e nesërme protestë.

Studentët do të mblidhen rreth orës 08:30 minuta të mëngjesit pranë fakulteteve të tyre, për të mbërritur në orën 10:00 pranë Ministrisë së Arsimit.

Një orë e 30 minuta më vonë do të transferohen pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë për të shkuar më pas tek Presidenca rreth orës 12:30 minuta. Në fund, protesta do të mbyllet pranë ambasadës amerikane dhe asaj të Bashkimit Evropian.

Protesta do të jetë në formë marshimi dhe mësohet se disa studentë, një përfaqësi e vogël e tyre, do të shkojnë në zyrat e këtyre institucioneve për të dorëzuar listën e kërkesave.

Protesta e studentëve vijoi sot në ditën e dytë të saj pas rikthimit nga festat, kohë që ia lanë kryeministrit Rama për të përmbushur kërkesat e tyre, si dhe kërkojnë rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë. Veçse sot studentët kanë zgjedhur mënyra të ndryshme protestimi.

Në Universitetin Politeknik, studentët janë ndarë në grupe, pasi një pjesë e tyre kanë zgjedhur të rikthehen në auditore nga frika e humbjes së vitit. Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë, sallat e leksioneve nuk ishin më bosh.

Kyçja e dyerve të Universitetit Bujqësor ka qënë forma tjetër e protestës, për të mos lejuar fillimin e mësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë