Lajme

Rama: Studentë, mos paguani më shumë se 50% të tarifës

Kryeministri Edi Rama ka komentuar shkresën që ka qarkulluar paraditen e sotme në disa portale se studentët janë të detyruar të paguajnë tarifën e plotë të studimit brenda 28 Janarit 2019. Kreu i qeverisë nëpërmjet një postimi në “Twitter” shprehet se po përpiqen të dezinformojnë studentët.
Rama thekson se në bashkëpunim me pengmarrësit e protestës janë edhe ata që i quan “fundërrina” të Universitetit. Apeli i kryeministrit për studentët është që të mos paguajnë më shumë se 50% të tarifës.
Kryeministri i referohet kësaj shkrese, e cila u bë publike ditën e sotme, dhe ku thuhet se të gjithë studentët që janë pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, duhet që t’i paguajnë tarifat e plota brenda 28 janarit.

“Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit! Askush të mos paguajë më shumë se 50%”, shkruan Rama në “Twitter”.

Më tej, kryeministri sqaron se është miratuar vendimi që i hap rrugë përgjysmimit të tarifave për të gjithë studentët.
“Është miratuar në dhjetor VKM për të paguar 50% të tarifave për të gjithë (100% për ata me 9/10 e me ndihme ekonomike+burse 10 mije lek)dhe qeveria do t’ua kalojë lekët direkt universiteteve një për një brenda janarit!Fryma e qëllimet e protestës janë tanimë pjesë e rrugës sonë”, shkruan Rama.

Studentët kundërshtojnë VKM dhe kërkojnë plotësimin e 9 kërkesave të tyre duke përfshirë edhe anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Pas lajmit që u publikua në media dhe rrjete sociale për një pagesë të plotë të tarifave te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ka reaguar Dekanati i këtij fakulteti. Në një deklaratë për shtyp, Dekanati sqaron se nuk ka asnjë njoftim të ri për pagesën e tarifave të studimit. Dekanati bën me dije se nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e fakultetit, derisa të hyjnë në fuqi aktet nënligjore.

 “Nisur nga lajmet që qarkullojnë së fundmi në portale apo rrjete sociale, Dekanati i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit sqaron studentët dhe opinionin publik se:

-Nuk është e vërtetë që nga ana e Fakultetit është shpallur njoftim i ri për pagesën e tarifës së Shkollimit.

-Gjatë kësaj periudhe, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim apo publikuar ndonjë njoftim për pagesën e Tarifës së Shkollimit, pasi është në pritje të miratimit të akteve të brendshme rregullatore të organeve kolegjiale të institucionit, në zbatim të akteve të reja nënligjore që kanë hyrë në fuqi”, thuhet në deklaratën e Dekanatit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.  

Ndërkohë, kryeministri Rama ka ndarë një njoftim të rëndësishëm për studentët. Përmes një postimi në “Twitter”, kreu i qeverisë shkruan se nga nesër studentët mund të fillojnë të dorëzojnë dokumentacionet përkatëse për të përfituar nga reduktimi i tarifës së shkollimit.

“Po! Saktë!

(Studentët në çdo universitet duhet të kërkojnë ekzaktësisht këtë njoftim dhe asgjë më shumë, asgjë me pak).

#MeStudentët”, shkruan Rama nw “Twitter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë