Treg

Fermerët kërcënojnë me braktisjen e ullishtave për shkak të çmimit të ulët, AFI kërkon masa urgjente

Rënia drastike e çmimit të vajit të ullirit ka vënë në vështirësi fermerët shqiptarë, të cilët paralajmërojnë braktisjen e kultivimit dhe madje prerjen e plantacioneve ekzistuese.

Përballë kësaj situate, Albanian Food Industry (AFI) i ka drejtuar një thirrje Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve të tjera për ndërhyrje urgjente, duke propozuar një paketë prej shtatë masash për mbështetjen e prodhuesve vendas.

Ndër kërkesat kryesore janë ndalimi i përkohshëm i importit të vajit të ullirit, certifikimi falas i prodhimit vendas dhe nxitja e konsumit të vajit shqiptar.

“Ditët e fundit fermerët shqiptar prodhues të ullirit po ballafaqohen me vështirësi të jashtëzakonshme përsa i përket rënies drastike të cmimit të vajit të ullirit, çka ka vënë ata në pozita që masivisht të deklarojnë se do e abandonojnë kultivimin e mëtejshëm të tyre edhe madje ka prej atyre që deklarojnë qe do presin masivisht plantacionet ekzistuese. Duke pasur parasysh se ne 10 vitet e fundit në Shqipëri janë bërë investime shumë të rëndësishme si në kultivimin e pemëve të ullirit por edhe në ndërtimin e fabrikave të vajit të ullirit të cilat llogariten të jenë mbi 270 është e domosdoshme që të bëhet një analizë e thelluar e situatës nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për të vlerësuar dimensionet e problemit, pasojat që mund të sjellë dhe aksionet që ndërmerren në të tilla raste në vendet e BE kur tregu sillet në mënyrë të tille që mund të shkaktojë shkatërrimin pa kthim të investimeve shumë të rëndësishme të kryera në dekada, të krijojë probleme sociale të vështirësive ekonomike apo edhe të largimit nga vendi për fermerët, të impaktojë në përdorimin e pasurisë më të rëndësishme që është toka dhe në cenimin e peizazhit dhe së fundmi në imapktin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit dhe të buxhetit te shtetit”, thuhet në reagim.

Masa te sugjeruara për ndërhyrje të menjëhershme:

-Krijimi i një plan pune nga Ministria e Bujqësisë për analizimin e shpejtë të situatës së krijuar nga çmimet e ulëta të vajit të ullirit pasojat që mund të sjellë dhe masat mbështetëse për fermerët.

-Vendosja e një fondi per çertifikimin e menjëhershëm të sasive të vajit të ullirit në konformitet me standartet ligjore apo me standartet organike kur ato plotësohen. Ky çertifikim të ofrohet falas për fermerët me kushtin e pagesës/rimbursimit pas shitjes së produktit.

-Marrja e masës së menjëhershmë të ndalimit të importit të vajit të ullirit deri në fund të muajt Janar.

-Promovim i përditshëm në të gjithë mediat vizive i kërkesës për mbështetje të fermerit shqiptar nga konsumatori vendas duke blerë vaji ulliri shqiptar.

-Nxjerrja e një Akti Administrativ që të gjithë subjektet që kanë marrë mbështetje nga fondet publike në 5 vitet e fundit nga AZHBR apo kanë marrë lehtësira fiskale si investitorë strategjikë etj kanë detyrimin që deri në muajin Qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të çertifikuar sipas skemës të ndërtuar nga Ministria e Bujqësisë. Në rast të mosrespketimit të këtij rregulli ndaj këtyre subjekteve do të merren 2 masa: a. për çdo blerje të vajit me origjinë jo shqiptare nga ana e subjekteve të nixitura financiarisht apo fiskalisht ndaj tyre, do të aplikohet një tarifë e barabartë me vlerën e blerjes së vajit të ullirit me origjinë jo shqiptare; b. subjektet që nuk respektojnë këtë masë emergjente për mbështetjen e fermerëve shpiqtar do të përjashtohen për 5 vjet nga çdo aplikim për marrje fondesh nga AZHBR apo përfitime të lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjisalcionit nxitës tursitik.

-Importi i vajit të ullirit do të vlerësohet me cmim reference për efekt të pagesave fiskale mbi bazën e kostos së prodhimit të vajit të ullirit të fermerëve shqiptar. Kjo kosto të nxirret nga shoqatat e prodhuesve të vajit të ullirit, dhe QTTB Vlorë e cila është përgjegjëse për kulturën e ullirit.

-Ministria e Bujqësisë të krijojë një task forcë e cilat ë ketë në përbërje të saj 70%, pjestarë, fermerë apo përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit, e cila të verifikojë deri në fund të muajit Shkurt respektimin e këtij akti normativ. Drejtuar publikut shqiptar dhe ndjenjës së tij patriotike Mbështesni fermerët shqiptarë dhe industrinë prodhuese të vajit të ullirit, duke blerë masivisht dhe pa hezitim vajin e ullirit pranë fermerëve apo fabrikave tuaja të besuara me koshiencën dhe ndërgjegjen e plotë qytetare se po jepni nje kontribut të jashtëzakonshëm për këta fermerë, për industrialistët dhe për gjithë ekonominë e vendit”, shkruan AFI.


    Copyright © Gazeta “Si”


    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

    Më Shumë