Shendet

FDA paralajmëron për rrezikun e humbjes së shikimit nga ilaçet për dobësim

Autoriteti amerikan i barnave (FDA) kërkon paralajmërime të reja sigurie për medikamentet e njohura për humbjen e peshës, pas shqetësimeve për një lidhje të mundshme me një sëmundje që mund të shkaktojë humbje të papritur, madje edhe të përhershme të shikimit.

Sipas FDA-së, ilaçet që përmbajnë agonistë të receptorëve GLP-1 mund të lidhen me neuropatinë optike ishemike anteriore jo-arteritike (NAION), një gjendje që shkakton humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit, zakonisht në njërin sy.

Paralajmërimet përfshijnë medikamente të përdorura gjerësisht për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe obezitetit, si Ozempic dhe Wegovy të Novo Nordisk, si dhe Mounjaro dhe Zepbound të Eli Lilly.

Në vlerësimin e saj, FDA analizoi 126 prova klinike me më shumë se 134 mijë pacientë, si dhe të dhëna nga përdorimi real i këtyre medikamenteve dhe studime të publikuara. Edhe pse provat kanë disa kufizime, agjencia vlerësoi se ekziston një rrezik i mundshëm që justifikon paralajmërime shtesë.

Shqetësimi nuk është i ri. Vitin e kaluar, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e klasifikoi NAION si një efekt anësor shumë të rrallë të semaglutidit, përbërësi aktiv i disa medikamenteve për diabetin dhe humbjen e peshës. Sipas vlerësimit, ai mund të prekë deri në një person në 10 mijë që trajtohen me këtë substancë.

Vendimi i FDA-së vjen në një kohë kur përdorimi i këtyre medikamenteve po rritet ndjeshëm në mbarë botën. Ekspertët theksojnë rëndësinë e informimit për efektet e mundshme anësore dhe të konsultimit me mjekun gjatë trajtimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë