Shendet

OBSH: Gjashtë masa klimatike mund të shpëtojnë 1.6 milionë jetë çdo vit

Zbatimi i gjashtë masave konkrete për përballimin e ndryshimeve klimatike mund të parandalojë rreth 1.6 milionë vdekje çdo vit në mbarë botën, si dhe të gjenerojë triliona dollarë përfitime ekonomike. Ky është përfundimi i një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili thekson lidhjen gjithnjë e më të fortë mes krizës klimatike dhe shëndetit publik.

Sipas OBSH-së, rreth 3.6 miliardë njerëz në botë jetojnë në zona veçanërisht të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre shëndetësore.

Gjashtë ndërhyrjet e rekomanduara përfshijnë:

Sisteme paralajmërimi për temperaturat ekstreme, për të informuar qytetarët dhe për të aktivizuar masa mbrojtëse, si qendrat e freskimit dhe kujdesi për grupet më të rrezikuara.

Furnizim me ujë të pijshëm të sigurt dhe rezistent ndaj ndryshimeve klimatike, edhe gjatë përmbytjeve dhe thatësirave.

Përmirësimin e kanalizimeve dhe higjienës, për të kufizuar përhapjen e sëmundjeve përmes ujit të ndotur.

Përdorimin e teknologjive dhe karburanteve më të pastra për gatim dhe ngrohje, duke reduktuar ndotjen e ajrit brenda banesave.

Kalimin drejt energjisë më të pastër, për të ulur emetimet dhe sëmundjet që lidhen me ndotjen.

Politika më efektive të çmimeve të karburanteve fosile, në mënyrë që kostoja e tyre të reflektojë edhe dëmet që shkaktojnë në shëndet dhe mjedis.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se kriza klimatike është njëkohësisht krizë shëndetësore, por një pjesë e madhe e dëmeve mund të parandalohet përmes masave që janë tashmë të disponueshme.

Raporti paralajmëron se, pa ndërhyrje shtesë, kequshqyerja, malaria, diarreja dhe stresi nga nxehtësia mund të shkaktojnë rreth 250 mijë vdekje të parakohshme çdo vit gjatë periudhës 2030-2050. Deri në vitin 2050, rreth 500 milionë njerëz të tjerë mund të ekspozohen ndaj insekteve që transmetojnë sëmundje të ndikuara nga klima.

Përfitimet më të mëdha pritet të vijnë nga largimi gradual i karburanteve fosile. Sipas OBSH-së, kjo masë mund të parandalojë më shumë se një milion vdekje të parakohshme çdo vit nga sëmundje si goditjet në tru, sëmundjet e zemrës, kanceri i mushkërive dhe astma, duke gjeneruar njëkohësisht rreth 5.4 trilionë dollarë përfitime fiskale në vit.

Edhe pesë ndërhyrjet e tjera paraqesin përfitime të konsiderueshme ekonomike: për çdo dollar të investuar, pritet të gjenerohen mesatarisht 24.8 dollarë përfitime.

OBSH u bën thirrje qeverive që shëndeti publik të vendoset në qendër të politikave klimatike, duke theksuar se investimet në parandalim mund të shpëtojnë miliona jetë dhe të ulin pabarazitë shëndetësore, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë