Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Emirjon Sota, ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse pas shpërthimit të bombolës së gazit në një pallat në Elbasan, ku humbën jetën dy persona.
Sota bëri një përshkrim të operacionit të zhvilluar ditën e djeshme, duke sqaruar se njoftimi për ngjarjen mbërriti në sallën e Shërbimit Zjarrfikës rreth orës 14:30. Menjëherë pas njoftimit, drejt vendngjarjes u nisën mjetet zjarrfikëse dhe autoshkallët.
Sipas tij, me mbërritjen në vendngjarje, u konstatua se zjarri kishte përfshirë dy kate të pallatit, të tretin dhe të katërtin, çka bëri të nevojshme kërkimin e forcave shtesë edhe nga bashkitë e tjera.
Ai bëri me dije se gjatë operacionit u evakuuan disa fëmijë dhe të moshuar, ndërsa ndërhyrja u realizua nga të dyja anët e pallatit.
I pyetur se si ishte bërë ndërhyrja në kushtet kur shkallët e pallatit ishin shkatërruar, drejtori i zjarrfikëses u shpreh:
“Është ndërhyrë me autoshkallë nga pjesa ballore, nga unaza. Janë transportuar të gjithë personat që ndodheshin në katet lart, në kat të 4 dhe të 5”.
Sa i përket pasojave që mund të kishte sjellë mungesa e autoshkallës, Sota theksoi se situata mund të ishte edhe më e rëndë.
“Duke marrë shkas nga lloji i zjarrit, nga shpërthimi i fuqishëm, nga bllokimi i hyrjes së pallatit, pasojat ndoshta do ishin më katastrofike”, tha ai.
Drejtori i zjarrfikëses sqaroi gjithashtu se dy viktimat e gjetura në pallat nuk kanë humbur jetën si pasojë e zjarrit, por nga shpërthimi.
“Të dy trupat e viktimave që janë gjetur brenda pallatit, janë gjetur nën rrënoja dhe kanë humbur jetën nga shpërthimi, jo nga zjarri”, deklaroi Sota.
Një shpërthim i madh i vuri flakën pallatit 5 katësh ku për pasojë humbën jetën një 69 vjeçar dhe një 82 vjeçare. Zjarri dyshohet se ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit në katin e dytë të pallatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje