Politike

Rama: Ministri e dedikuar për administratën publike! ‘Shkalla e Meritës’ për të promovuar më të aftët

Kryeministri Edi Rama prezantoi reformën e re të quajtur “Shkalla e Meritës”, që synon të garantojë punësimin dhe promovimin në hierarkinë e administratës publike të njerëzve më të aftë. Rama theksoi se pjesë e reformës është edhe krijimi, për herë të parë, i një ministrie të dedikuar për administratën publike dhe mirëqeverisjen, drejtimi i së cilës do t’i beshet Adea Pirdenjit.

“Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administrates. Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë AI-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?”, tha Rama, duke shtuar se në administratën publike duhet të vlerësohen dhe promovohen punonjësit mbi bazën e meritës, jo të lidhjeve apo mbështetjes që mund të kenë.

Rama tha se punonjësit do t’i nënshtrohen një provimi kombëtar unik, të organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas modelit të Cambridge.

Ata që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për 4 vite, e cila do t’u mundësojë pjesëmarrjen në konkurset për ngritjen në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë