Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) kundërshton rritjen e propozuar të barrës tatimore në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të dëmtojnë klimën e biznesit, të frenojnë investimet e huaja dhe të rrisin kostot për konsumatorët.
Në një reagim publik, AmCham i kërkon qeverisë të rishqyrtojë masat e propozuara, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të zhvillojë konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit përpara miratimit të tyre.
“Ndryshime të tilla do të dekurajonin gjithashtu investitorët e huaj nga konsiderimi i Shqipërisë për biznese në të ardhmen. AmCham vlerëson se çdo ndryshim i rëndësishëm në politikat fiskale duhet të mbështetet në një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social, në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve të pritshme, si dhe në një proces të mirëfilltë konsultimi me komunitetin e biznesit përpara vendimmarrjes përfundimtare”, thuhet në reagimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Në reagim thuhet se lehtësimi i kostos së jetesës dhe mbështetja e qytetarëve, veçanërisht e familjeve më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve, janë objektiva të rëndësishëm. Megjithatë, arritja e tyre duhet të shkojë paralelisht me ruajtjen e një klime të shëndetshme biznesi, nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Për këtë arsye, AmCham kundërshton që financimi i masave sociale të mbështetet në rritjen e barrës mbi bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmbushin rregullisht detyrimet tatimore, pa u shqyrtuar më parë alternativat e mundshme dhe efektet e ndërhyrjes.
“Duke marrë parasysh edhe nivelin e nënrealizimit të shpenzimeve buxhetore dhe suficitin e financave publike, çdo rritje e barrës fiskale kërkon një arsyetim të qartë mbi domosdoshmërinë e saj dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave shtesë”.
Sipas AmCham, ndryshimet e propozuara prekin njëkohësisht disa prej elementeve kryesore të sistemit tatimor. Rritja e tatimit mbi dividendët nga 8% në 15% dhe e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, krahas rritjes së disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10% dhe ndryshimeve në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, përbëjnë ndërhyrje me ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik.
“Këto masa mund të pakësojnë fondet e disponueshme për riinvestim, të ulin kthimin nga kapitali dhe të ndikojnë në kostot e aktivitetit, punësimin dhe planet e zgjerimit të bizneseve. Ndikimi neto në GDP, dhe rrjedhimisht në të ardhurat bruto tatimore, mund të rezultojë më i ulët se sa parashikohet, nëse politika e re pengon zhvillimin e bizneseve”.
Për më tepër, thuhet në reagim, është e nevojshme të sqarohet përputhshmëria e ndryshimeve të propozuara me objektivat dhe drejtimin e përcaktuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, të hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë FMN-në dhe BE-në. Çdo ndryshim nga masat apo afatet e parashikuara në këtë kuadër duhet të shoqërohet me argumentim të qartë ekonomik dhe fiskal, duke garantuar koherencën dhe parashikueshmërinë e politikave tatimore.
“Në këto rrethana, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje Qeverisë të rishqyrtojë rritjet e propozuara të barrës tatimore, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të vlerësojë si alternativë prioritare zgjerimin e bazës tatimore, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike, përpara ndërmarrjes së masave që rrisin normat tatimore. AmCham kërkon gjithashtu një proces të hapur e kuptimplotë konsultimi dhe parashikimin e periudhave të arsyeshme kalimtare përpara se ndryshime të kësaj përmase të merren në konsideratë, e aq më pak të zbatohen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje