Politike

Paketa Fiskale/ Rama prezanton 10 masat e reja: Do zbusim hendekun mes te pasurve dhe te varfërve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar 10 pikat kryesore të Paketës Fiskale 2027, duke njoftuar ndryshime në taksimin e dividendit, pronave dhe automjeteve luksoze.

Ndër masat e bëra publike janë edhe krijimi i një Byroje të Specializuar për kontrollin e të ardhurave, si dhe nisma që, sipas Ramës, synojnë të lehtësojnë barrën për familjet dhe të ngushtojnë hendekun social.

“Për herë të parë në histori, buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 miliardë eurove. Edhe e vetme, kjo shifër mjafton për t’u thënë të tërë atyre që duan ta mbulojnë dritën e progresit të Shqipërisë, me shoshën e urrejtjes dhe xhelozisë, se Shqipëria rritet dhe ekonomia e saj gjithashtu. Ndërkohë që borxhi publik i Shqipërisë, ka rënë në një prag të poshtëm historik po ashtu”, tha Rama.

Rama tha se qeveria do më shumë biznese, më shumë kompani, më shumë investime private të vogla e të mëdha, vendase e të huaja.

“Ne duam po ashtu sa më shumë njerëz të pasur në Shqipëri, sepse problemi nuk janë asnjëherë të pasurit, po është hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë pak”.

10 ndryshimet që prezantoi Rama:

Ulet norma TVSH për ushqimet bazë- nga 20% ne 6% për 54 produkte, ku përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat.

“Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë Euro në vit për ushqimin, që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së 20%. Nga ana tjetër praktika e re e Pasqyrës së Çmimeve do të zgjerohet e fuqizohet, për të garantuar që ulja domethënëse e çmimeve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj”.

Rritet me 1% norma standarde e TVSH-së si një kompensim kontributesh nëpërmjet rishpërndarjes, “për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit, të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm”.

Nuk rritet norma e tatimit të fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15% por rritet në normën më të lartë që ka rajoni edhe tatimi mbi dividentin e tyre, i cili duke shkuar nga 8% në 15 %.

“Ulim barrën tatimore, më vjen natyrshëm buzëqeshja sepse janë 32,000 tatimpagues që janë pjesë vitale e shtresës së mesme që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje, rritjen e pragun të sipërm të tatimit mbi pagën, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Këtë lëvizje nuk na e lejonte ekonomia deri dje, sot rritja e ekonomisë na jep mundësinë”, tha Rama, duke shtuar se nga ana tjetër vendoset një prag i ri të tatimit mbi pagën 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%, në radhë të parë si një instrument për të mbyllur shtegun e evazionit të dividentit.

Po ashtu, ulet pragu i aplikimit te TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë.

Gjithashtu rritet edhe norma e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10 %, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin.

“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follwer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Paralelisht po punohet në ligje e vendime të tjera, edhe për disa masa të reja që shkojnë po në këtë drejtim, solidaritet me ata që e ndjejnë më shumë presionin e rritjes së kostove të jetesës nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik që krijon vetvetiu pastaj hendeqe dhe ne duhet të jemi aty për t’i ngushtuar. Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj ndërsa në këtë paketë fiskale do të ketë edhe një super-taksë për makinat e luksit”, shpjegoi Rama.

Ndërkohë, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë.

“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndërkohë që taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Një përgjigje te “Paketa Fiskale/ Rama prezanton 10 masat e reja: Do zbusim hendekun mes te pasurve dhe te varfërve”

  1. thotë:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë