Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i grupit, Taulant Balla, tha se vendimi politik është që projektligji për reformën territoriale të vijojë procedurën parlamentare sapo të përmbyllet shqyrtimi në Komisionin e Ligjeve.
Balla theksoi se deputetët mund të kenë qëndrime të ndryshme gjatë diskutimeve, ndërsa mohoi se dy deputetët që kanë shprehur rezerva, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, janë kërcënuar për qëndrimin e tyre.
“Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve ky projektligj, të kalojë në seancë parlamentare. Hyn në këtë vendimmarrje politike, për të cilën kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë”, tha Balla, duke shtuar se secili ka shqetësimet e veta, duke përmendur deputetin Sinaj për të cilin tha se një gjë është të kesh diskutimet e tua dhe tjetër është të kesh detyrimet e tua për të votuar për vendimmarrjen e përbashkët të grupit parlamentar.
Balla sqaroi se vendimi politik i PS nuk do të thotë se të gjithë deputetët të votojnë pro.
I pyetur nëse ka penalitete për ata që dalin nga rreshti dhe votojnë kundër vendimit politik të PS, Balla tha se duhet të lexohet rregullorja e grupit.
Ai shtoi se gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre kundër dhe votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi që pason, që është vendimi politik. “Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë se sa e rëndësishme është të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, ku Shqipëria nuk ka qenë më pranë Bashkimit Evropian”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje