Kosova

Ligji për Dhomat e Specializuara në votim, Kurti: Ndryshimet janë të nxituara, por do t’i mbështesim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend përpara votimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kurti e lidhi çështjen e proceseve në Hagë me nevojën për një strategji shtetërore dhe funksionim të institucioneve të Kosovës.

“Për ta zbatuar strategjinë na duhen institucione funksionale, president dhe qeveri stabile”, tha Kurti.

Duke folur për mënyrën se si, sipas tij, duhet të kundërshtohen aktgjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Kurti e vuri theksin te procesi i apelit.

“Adresa e fitores është apeli”, tha Kurti.

Ai kërkoi një organizim që të mos jetë i ndarë sipas përkatësive partiake dhe theksoi nevojën për një strategji të përbashkët.

“Për këtë nevojitet organizim dhe strategji shtetërore e kombëtare”, tha Kurti.

“Nuk ndihmojnë veprimet pa strategji”, shtoi ai.

Sa i përket projektligjit që ishte në rend dite për votim, Kurti tha se ndryshimet janë përgatitur me nxitim, duke theksuar se koha për shqyrtimin e tyre ka qenë e shkurtër. Megjithatë, ai bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë nismën.

“Ndryshimet janë të ngutshme, por do t’i mbështesim”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për luftën e UÇK-së, duke e cilësuar atë si të drejtë dhe duke kundërshtuar procesin gjyqësor ndaj saj.

“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”, deklaroi Kurti.

Ai rikujtoi gjithashtu se Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 dhe tha se përgjegjësinë për këtë e mbajnë ata që votuan për themelimin e tyre.

“Përgjegjësinë për krijimin e Dhomave të Specializuara e mbajnë ata që e votuan themelimin e tyre, më 2015. Ne po ju mbështesim sot”, tha Kurti.

Në përfundim të deklaratës së tij, Kurti bëri të ditur se gjatë ditës pritet të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ai nuk dha detaje për orën apo temat që do të diskutohen në takim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë