Pas përfundimit të procedurës së detyrimit për paraqitje në GJKKO, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj zhvillimeve në sistemin e drejtësisë dhe ndryshimeve ligjore të miratuara nga mazhoranca.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha akuzoi qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për heshtje dhe paralizim të hetimeve, ndërsa ngriti pretendime edhe për ndërhyrje në proceset hetimore dhe kufizim të rolit të medias.
“Tani ju jeni të gjithë kuriozë se çfarë gjeta unë aty. Aty, të gjithë po bënin gati valixhet. Po bënin gati valixhet, kishin mbushur korridorin me dosje që duket po i çonin t’i djegin dhe po brohorisnin rroftë Partia Socialiste”, tha Berisha, duke shtuar se është informuar nga Strasburgu se Këshilli i Evropës nuk është absolutisht dakord në asnjë nga ndryshimet e bëra nga Edi Rama.
“Nuk ka dhënë asnjë miratim për këto ndryshime dhe këtë ia ka bërë të qartë Edi Ramës. Çfarë nënkupton heshtja e tyre? Heshtja e tyre nënkupton se këta janë pjesë e komplotit që i bëhet këtij vendi për të shkatërruar hetuesinë tani që në skenë erdhi Edi Rama me hajdutët e tij. Heshtja e tyre tregon se kemi të bëjmë me një marrëveshje midis tyre dhe Edi Ramës, unë gjithnjë u kam deklaruar ju se ky është një seksion i shpifur i PS”, tha Berisha.
Ai shtroi pyetjen nëse mundet që institucioni qendror i akuzës, siç është SPAK-u për zyrtarët, të heshtë para ligjit, i cili paralizon hetimin?
“A mundet një institucioni i drejtësisë të heshtë para ligjit që rikthen censurën e diktaturës? Që përjashton mediat nga misioni i tyre i informimit të publikut. A mundet një institucion i vërtetë i akuzës të heshtë para faktit se do të detyrohet t’ia çojë provat për të miratuar gjykatësi, pa bërë gjykimin, që e shndërron gjykatësin në hetues në një akt të pashembullt? Dhe këta heshtin si fija e barit, si hija e turpit dhe tregojnë se çfarë mercenarësh janë”, përfundoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje