Kryeministri Edi Rama mbrojti përfshirjen e arkitektëve të huaj në projektet e zhvillimit urban në Shqipëri, duke kundërshtuar kritikat se këto ndërhyrje realizohen jashtë standardeve apo në dëm të pronarëve dhe banorëve.
Sipas Ramës, në Shqipëri nuk ka ndodhur që qytetarët të nxirren me forcë nga banesat për t’i hapur rrugë një investimi privat dhe as pronarëve nuk u është mohuar e drejta për të vendosur nëse duan apo jo të zhvillojnë pronën e tyre.
Rama tha se bashkëpunimi me arkitektë të njohur ndërkombëtarë u krijon profesionistëve të rinj shqiptarë mundësinë të punojnë drejtpërdrejt me emra të nivelit të lartë të arkitekturës ndërsa shprehu bindjen se në vitet e ardhshme arkitektë shqiptarë do të jenë në gjendje të konkurrojnë edhe jashtë vendit.
Kryeministri pranoi se Shqipëria nuk i ka ende të gjitha kapacitetet dhe dijet e nevojshme për projekte komplekse, si ndërtimi i kullave, por tha se përmes bashkëpunimit me profesionistë ndërkombëtarë po hidhen “bazat e një shkolle të re të arkitekturës shqiptare”
“Absurditeti me demek ne projektet tona ne bëjmë nxjerrje me forcë nga shtëpitë të njerëzve për të imponuar projekte që arkitektët i bëjnë pa patur parasysh njerëzit. Kjo është mungesë respekti për personalitet e një bote që ka më shumë përgjegjshmëri dhe sens të përkatësisë ndaj vendit se kanë komentatorët e punëve të tyre dhe është totalisht e pavërtetë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri asnjëherë që të nxirret dikush me forcë nga shtëpia për t’u zhvilluar një investim privat dhe asnjë privati nuk i është mohuar e drejta e tij për të zhvilluar apo jo një projekt”.
Rama tha se nuk është e vërtetë se arkitektë të huaj vijnë në Shqipëri për të bërë ‘art ëashing, bulldozer politics’ dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve.
“E vërteta është krejt ndryshe, kemi patur diskutime për zhvillimin, pengesat që kanë dalë në zhvillimin urban dhe arkitektonik, por nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla apo bëjmë diçka që në vendet e tjera është e papranueshme dhe e palejueshme”, tha Rama.
“Jam i bindur që disa vite më pas ne do të kemi arkitektë tanët që do të jenë në gjendje të konkurrojnë edhe përtej Shqipërisë dhe do të kemi 2, 3 emra shqiptarësh që do të jenë pjesë e kësaj elite. Të mos harrojmë që ndërtimi i kullave është kaq kompleks, kaq delikat dhe kërkon kaq profesionistë të bërë bashkë, saqë ne duhet ta pranojmë që ne në Shqipëri nuk i kemi kapacitetet dhe dijet për ta bërë këtë gjë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje