Këto duket se janë ditët e fundit të Cristiano Ronaldos me kombëtaren e Portugalisë. Çdo shenjë tregon se fundi po afron mes një krize, ku ai po largohet nga dera e ngushtë pas një karriere legjendare me “Brazilin e Evropës”.
Pse 41-vjeçari nuk mësoi nga legjendat që zgjodhën momentin e duhur për t’u larguar? Pse nuk e kuptoi se fundi është ndonjëherë më i bukur kur vjen përpara se realiteti ta imponojë atë?
Ronaldo ndodhet në mes të një krize me trajnerin dhe bashkatdhetarin e tij, Jorge Jesus. Situata duket e çuditshme, duke qenë se vjen nga njeriu që shumëkush mendonte se do të ishte i pari që do ta mbronte “Donin” në ditët e tij të fundit me kombëtaren.
Që kur Jesus mori detyrën, tifozët thoshin se Ronaldo më në fund kishte gjetur trajnerin që e njihte mirë, që dinte si ta menaxhonte dhe që madje do t’i jepte atë që kërkonte në fazën përfundimtare të karrierës së tij ndërkombëtare.
Pastaj, papritur, situata ndryshoi rrënjësisht.
Ky ishte trajneri që erdhi te Al-Nassr pas një telefonate nga Ronaldo, njeriu që e mbushi 41-vjeçarin me lavdërime gjatë gjithë sezonit të kaluar dhe e mbrojti atë edhe në periudhat e tij më të vështira. Tani, ai e gjen veten në anën e kundërt.
Nuk duhet nëse ka detaje prapaskenash për të cilat ende nuk jemi në dijeni, veçanërisht duke qenë se Ronaldo ka thënë se do ta zbulojë të vërtetën në momentin e duhur. Por ka një të vërtetë që “Doni” duhet ta kishte kuptuar kohë më parë: në moshën 41-vjeçare, askush nuk e ka të garantuar se do të mbetet numri një përgjithmonë.
Madje as Cristiano Ronaldo.
Krenaria e Ronaldos
Të ulesh në stol, qoftë edhe për një ndeshje të vetme, nuk është fyerje për historinë e tij. Ronaldo duhet ta dinte këtë.
Ai mund të ishte zemëruar, mund të kishte debatuar, mund të mos kishte rënë dakord me trajnerin, madje mund të kishte kërkuar edhe shpjegime. Por ylli që kaloi dy dekada të plota duke dominuar skenën botërore kishte nevojë, në ditët e tij të fundit, për diçka më të vështirë sesa shënimi i golave: të pranonte se koha nuk punon më në favor të tij.
Pikërisht këtu qëndron problemi.
Ronaldo dha një shembull të keq se si duhet të tërhiqet një yll legjendar. Tensioni, largimi nga grumbullimi, braktisja e kombëtares në mes të një krize, cilatdo qofshin arsyet e vërteta, mund të shkruajnë një kapitull të fundit që nuk i ngjan aspak karrierës që ai ndërtoi për veten.
Duke gjykuar nga tabloja që është krijuar deri më tani, ajo që ndodhi nuk ngjan aspak me fundin që admiruesit e Ronaldos do të kishin dëshiruar për një legjendë të përmasave të tij.
Megjithatë, kjo nuk ishte krejtësisht në shpërputhje me mënyrën se si ai e menaxhoi periudhën e fundit të karrierës së tij ndërkombëtare. Ai prej kohësh ndiqte rekordet dhe tani synimi i tij është goli i 1000-të.
Ironia është se krenaria që e bëri Ronaldon legjendë mund të jetë pikërisht ajo që tani kërcënon t’i japë fund asaj. Ajo krenari është ajo që e bëri të mos dorëzohej kur të gjithë dyshonin tek ai, të rikthehej pas dëmtimeve, të ndryshonte stilin e lojës, të ndiqte rekordet dhe t’i bënte ballë kohës për vite me radhë.
Megjithatë, në një moment të caktuar, ajo mund të shndërrohet nga një forcë shtytëse që e çon legjendën përpara, në një prangë që e pengon atë të kuptojë se kur duhet të tërhiqet.
Messi dinte se kur të thoshte “lamtumirë”
Shikoni, në të kundërt, Lionel Messin.
Është e vërtetë se Messi e kishte njoftuar tashmë tërheqjen nga kombëtarja në vitin 2016, pas humbjes në finalen e Copa América, dhe më pas e ndryshoi vendimin. Por fundi i vërtetë erdhi në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Pas vitesh të tëra dhimbjeje dhe kritikash, Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt fitores në Kupën e Botës 2022, më pas shtoi titullin e Copa América dhe vazhdoi deri në Kupën e Botës 2026. Ai njoftoi tërheqjen përfundimtare nga futbolli ndërkombëtar në moshën 39-vjeçare, pasi humbi finalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Ai nuk u largua sepse nuk ishte më në gjendje të luante. Nuk u largua sepse iu kërkua të ikte. Dhe nuk priti që një trajner t’i thoshte se një lojtar tjetër ishte më i mirë se ai në një ndeshje të caktuar.
Ai u largua sepse ndjeu se historia kishte arritur në kapitullin e saj të fundit. Këtu qëndron ndryshimi.
Ka gjithashtu ironi në faktin se Messi do ta luajë ndeshjen e tij të lamtumirës javën e ardhshme kundër Beninit në stadiumin “Monumental”, në një mbrëmje që do të shndërrohet në një festim për fundin e një karriere ndërkombëtare, momentin e së cilës e zgjodhi vetë ai. Ndoshta Ronaldo do ta kuptojë gabimin e tij kur ta shohë atë ndeshje.
Zidane: fundi, tabloja e të cilit nuk u plotësua kurrë
Edhe Zinedine Zidane, fundi i të cilit ishte larg të qenit perfekt, e dinte se kishte një moment kur duhej të ndalej.
Zidane njoftoi se Kupa e Botës 2006 do të ishte kapitulli i tij i fundit me Francën; më pas zhvilloi një turne të jashtëzakonshëm, e çoi vendin e tij në finale dhe shënoi një gol historik me goditjen “Panenka”, përpara se historia e tij të përfundonte me një karton të kuq kundër Italisë.
Po, fundi ishte i dhimbshëm. Po, goditja me kokë ndaj Marco Materazzit e njollosi imazhin e finales.
Por Zidane nuk priti derisa të bëhej një lojtar dytësor, nuk priti që vendi i tij në kombëtaren e Francës të bëhej temë diskutimi të përditshëm dhe nuk hyri në një betejë për të provuar se ende e meritonte atë vend.
Ai e dinte se ky ishte Kampionati i tij i fundit Botëror. E dinte se kishte ardhur çasti, ndaj u largua në mënyrë madhështore në moshën 34-vjeçare. Tifozët francezë do të kishin dashur që ai të vazhdonte edhe për disa vite të tjera, veçanërisht duke qenë se, në atë kohë, ishte ende fizikisht i aftë për të dhënë më shumë.
Pelé: zgjodhi të tërhiqej para se këtë ta diktonte koha
Pelé, një nga lojtarët më të mëdhenj që ka prekur ndonjëherë topin e futbollit, na jep një mësim mbi të cilin ndoshta Ronaldo do të duhej të ishte reflektuar më gjatë.
Pelé nuk priti derisa të bëhej një lojtar i zakonshëm te Brazili dhe nuk lejoi që vitet e fundit të karrierës së tij ndërkombëtare të shndërroheshin në një betejë rreth asaj nëse e meritonte ende vendin në skuadër.
Pasi e udhëhoqi Brazilin drejt titullit të Kampionit të Botës për herë të tretë në histori në vitin 1970, në një nga edicionet më të shkëlqyera që ka dhuruar ndonjëherë kombëtarja braziliane, Pelé luajti ndeshjen e tij të fundit ndërkombëtare në vitin 1971, në moshën 30-vjeçare.
Ai mund të kishte vazhduar. Ishte ende i aftë të bënte diferencën. Por Pelé zgjodhi ta mbyllte vetë atë kapitull, pasi kishte arritur një kulm që vështirë se mund të tejkalohej nga ndonjë lojtar tjetër.
Ai nuk priti derisa ta humbiste vendin e tij. Nuk priti që një trajner i ri të vendoste se roli i tij kishte rënë në plan të dytë. Dhe nuk priti që vendi i tij te Brazili të shndërrohej në një çështje të përditshme diskutimi, nëse koha kishte filluar ta mposhtte.
Pelé e zgjodhi vetë momentin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje