Konferenca e Kryetarëve ka shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një debati parlamentar lidhur me çështjen e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni.
Kërkesa e PD-së ka në fokus përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe integritetit institucional.
Në Konferencën e Kryetarëve, Taulant Balla ka bërë të ditur qëndrimin e mazhorancës, duke argumentuar se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë dhe se Kuvendi nuk mund të zëvendësojë kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës.
“Lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ, ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK”, u shpreh Balla.
Sipas tij, prokurorët duhet të lejohen të kryejnë hetimin në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga institucionet e tjera.
Balla iu referua edhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova apo për të përcaktuar fakte penale dhe përgjegjësi individuale.
“Prandaj ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se asnjë instrument i kontrollit parlamentar, nga mocioni me debat deri te komisioni hetimor parlamentar, nuk duhet të zëvendësojë, ndikojë apo pengojë hetimin e SPAK.
Duke folur për qëndrimin e mazhorancës ndaj Reformës në Drejtësi, Balla tha se pafajësia ose fajësia e një zyrtari duhet të përcaktohet vetëm përmes institucioneve të drejtësisë.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, u shpreh ai.
Balla nënvizoi se mazhoranca, sipas tij, nuk duhet të hyjë në meritën e çështjeve që janë në duart e drejtësisë dhe nuk duhet të bëjë avokatinë e askujt që përballet me organet e drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje