Politike

Magjistratët bojkotojnë tryezën për pagat! Rama: Nga nesër nis hartimi i skemës së re

Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë vijon të mbajë në tension raportet mes përfaqësuesve të gjyqësorit dhe qeverisë.

Kryeministri Edi Rama kishte thirrur këtë të hënë një tryezë diskutimi për piramidën e pagave në drejtësi, por dy organizatat përfaqësuese të gjyqtarëve dhe Gjykata e Lartë kanë vendosur të mos marrin pjesë.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga kryeministri Rama.

Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë me dije se çështja e pagave tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ata deklarojnë se nuk janë kundër dialogut, por se këtë do ta bëjnë vetëm pasi të flasë ‘Kushtetuesja’.

Kryeministria ndërkohë, në një njoftim, sqaron se nga nesër, do të vijojë puna për hartimin e një ligji të ri për pagat e magjistratëve, ndërsa pritet një dakordësim mes aktorëve të drejtësisë dhe qeverisë për caktimin e një date të përshtatshme për vijimin e dialogut.

“Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit. Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit”, thuhet në reagimin e kryeministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë