Politike

Rasti i Vlora Hysenit, kryeministri Rama: I ka lënë pa fjalë partnerët tanë

Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe hetimi i saj nga SPAK, janë një çështje individuale e saj me drejtësinë, tha kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp. 

“Ishte një masë ekstreme, por nuk kam të drejtë të vlerësoj se pse Prokuroria ka kërkuar arrestin. Nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj, që të ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Çdo akuzë duhet që të çohet deri në fund”, tha Rama, duke shtuar se një institucion i veçantë u ekspozua, ndaj një potenciali të madh, që mund dhe duhej të ndalohej.  

“Kur puna sjell që hetimi të zgjidhet deri te kreu, nuk është problemi i një shteti të pavarur, por i krejt shtetit.  I ka lënë pa fjalë partnerët tanë.”


Rama mohoi akuzat kundrejt tij për fuqizimin e korrupsionit në institucionet shtetërore me “bekimin” dhe pjesëmarrjen e tij.

Rama tha se nuk ka kryer kurrë veprën penale të korrupsionit gjatë mandateve në krye të Bashkisë Tiranë, apo prej më shumë se 13 vitesh si kryeministër i vendit.

Ai gjithashtu theksoi se një kryeministër nuk mund të parashikojë çdo veprim të vartësve të tij, ndërsa mbrojti reformën në drejtësi dhe mbështetjen e saj pavarësisht problemeve që, sipas tij, mund të shfaqen.

“Premtova rilindjen e një Shqipërie të rrënuar dhe shtetbërjen, jo një qeverisje që askush s’do shkelë kurrë në dërrasë të kalbur dhe një administratë navëngjëlore. E mbi të gjitha, u zotova për fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm.

Kryeministri s’e ka të mundur të parashikojë sjelljen e një individi dhe as të përgjojë se çfarë bëjnë në rrogozë, dhe as të lexojë mendjen e dikujt kur kurdiset, kur fillon të mendojë stërprapthi.

Ndaj e kam kërkuar unë reformën në drejtësi dhe e mbështes me vullnet, pavarësisht lajthitjeve të saj, sado të dhimbshme dhe aq të kuptueshme.“, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë