Inteligjenca artificiale po ndryshon jo vetëm mënyrën se si njerëzit punojnë, por edhe mënyrën se si kompanitë i vlerësojnë punonjësit. Gjithnjë e më shumë biznese po e konsiderojnë aftësinë për të përdorur AI-në si kriter për bonuset, promovimet dhe madje edhe vazhdimësinë në punë.
Disa kompani të mëdha kanë nisur të ndjekin se sa shpesh dhe sa mirë punonjësit përdorin mjetet e AI-së. Në disa raste, përdorimi i saj është kthyer në një tregues performance. Por kjo po ngre një dilemë: a po shpërblehen punonjësit për produktivitetin e tyre, apo po vlerësohet thjesht sa mirë përshtaten me një teknologji që kompanitë duan ta përdorin për të ulur kostot?
Një punonjës i intervistuar nga BBC e përshkruan këtë si një situatë paradoksale. Nëse AI-ja i lejon të kryejë dy ditë punë në vetëm disa orë, ai mund të bëhet më produktiv dhe të fitojë pikë për një promovim. Por, në të njëjtën kohë, ai mund t’i tregojë kompanisë se një pjesë e madhe e punës së tij mund të automatizohet.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se vendosja e përdorimit të AI-së si objektiv mund të krijojë një kulturë ku punonjësit e përdorin teknologjinë vetëm për të përmbushur një statistikë, edhe kur nuk është e nevojshme.
Nga ana tjetër, shumë punonjës po e shohin aftësinë për të përdorur IA-në si një avantazh të domosdoshëm në tregun e punës. Përvoja e gjatë në një profesion mund të mos mjaftojë më nëse një koleg me më pak vite eksperiencë arrin të punojë më shpejt dhe më efikas falë teknologjisë.
Por pyetja mbetet: a duhet të promovohet ai që përdor më shumë AI, apo ai që merr vendimet më të mira?
Disa kompani kanë nisur të tërhiqen nga ideja e matjes së përdorimit të AI-së. Duolingo, për shembull, vendosi të mos e përdorë më këtë kriter në vlerësimet e performancës, duke argumentuar se rëndësi duhet të ketë cilësia e punës dhe jo përdorimi i IA-së për hir të teknologjisë.
Në fund, sfida për kompanitë është të gjejnë ekuilibrin. AI-ja mund të jetë një mjet që i bën punonjësit më të mirë, por nuk duhet të bëhet vetë matësi i vlerës së tyre. Sepse një punonjës nuk duhet të promovohet thjesht sepse di të përdorë një chatbot, por sepse di të mendojë, të vendosë dhe të krijojë rezultate më të mira.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje