Gazeta Si – Një rast që mbetet ende i mbështjellë me mister: historia e Anës, vajzës së Ratko Mlladiçit – i cili vdiq në burgun e Hagës, në Holandë – dhe e cila i dha fund jetës së saj më 25 mars 1994.
Ishte një vetëvrasje enigmatike – pa lënë asnjë shënim dhe pa dëshmitarë – që nxiti lloje të ndryshme spekulimesh; megjithatë, mendimi mbizotërues është se ajo erdhi si pasojë e tronditjes, turpit dhe ankthit të thellë që ajo ndjente për veprimet e të atit, ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për krime lufte.
Ana ishte vetëm 23 vjeçe kur zgjodhi t’i jepte fund jetës – një ngjarje që shënon një nga episodet më të errëta në jetën private të Mladiçit.
Tridhjetë e dy vjet më vonë, vdekja e saj mbetet një mister. Sipas versionit zyrtar, Ana i dha fund jetës duke përdorur një pistoletë që i ati e kishte marrë si shpërblim gjatë karrierës së tij ushtarake, pa lënë asnjë shënim lamtumire.
Nëna e saj, Bosiljka, dhe vëllai, Darko, ndodheshin në shtëpi në ato momente. Vdekja e Anës u bë një nga kapitujt më të errët në jetën e Ratkos.
Mes thashethemeve të shumta që qarkullonin – dhe në mungesë të përgjigjeve lidhur me vetëvrasjen – rreth rastit nisën të përhapeshin teori të ndryshme.
I dashuri i saj i asaj kohe refuzonte të pranonte se Ana i kishte dhënë fund jetës, duke këmbëngulur se ajo ishte vrarë nga armiqtë e Mlladiçit.
Qarkullonte gjithashtu një version tjetër, sipas të cilit Ana ishte në të vërtetë e dashuruar me një djalë tjetër – i cili kishte humbur jetën në fushën e betejës gjatë luftës së të atit.
Vite më vonë, u përhapën madje zëra se Mladiç nuk e miratonte lidhjen e atij të riu me të bijën dhe kishte urdhëruar fshehurazi dërgimin e tij në front.
Megjithatë, pothuajse që në fillim, nisi të fitonte terren një hipotezë tjetër: se e reja Ana kishte zbuluar gradualisht atë që po ndodhte në Bosnjë-Hercegovinë dhe kishte konstatuar një kontradiktë të thellë mes imazhit të babait të saj të dashur dhe realitetit të një komandanti ushtarak, forcat e të cilit po kryenin krime kundër civilëve. Ishte një zbulim që e tronditi thellësisht.
Më 31 maj 2011 – pa e mësuar kurrë të vërtetën – Mlladiçi, i cili në atë kohë ishte nën arrest dhe gati për t’u dërguar në Hagë për gjykim, u la i vetëm pranë varrit të së bijës, Anës, në varrezat Topçider të Beogradit; një vend që nuk kishte guxuar kurrë ta vizitonte gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve që kishte jetuar si i arratisur, nga frika se mos kapej.
Ai qëndroi pranë varrit për rreth 10 deri në 20 minuta, vendosi lule dhe ndezi një qiri. Megjithatë, në shkurt të vitit 2019, Mlladiç kërkoi lirim të përkohshëm nga qendra e paraburgimit në Scheveningen për të vizituar sërish varrin e së bijës në përvjetorin e njëzet e pestë të vdekjes së saj, por kërkesa u refuzua.
Tani, rrethi mund të jetë duke u mbyllur përfundimisht. Pas vdekjes së tij në spitalin e burgut në Hagë – ku së fundmi kishte pësuar disa goditje në tru – “Kasapi i Srebrenicës” pritet të varroset pranë së bijës, Anës, në varrezat e Beogradit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje