Drejtësia

Avokati i Agasit mohon akuzat: Nuk ka prekur financat publike, duam dosjen

Gazeta Si – Avokati Maks Haxhia ka vizituar në qeli klientin tij, Ergys Agasi, i cili u arrestua një ditë më parë në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.

Pas takimit, Haxhia deklaroi se mbrojtja kërkon t’i vihet në dispozicion dosja e plotë e hetimit. Sipas tij, pa pasur akses në aktet e dosjes, mbrojtja nuk mund të paraqesë pretendime konkrete lidhur me akuzat.

Haxhia tha se Agasi pretendon se nuk ka përgjegjësi juridike për veprat që po hetohen. Avokati argumentoi se klienti i tij nuk ka pasur funksione shtetërore që lidhen me menaxhimin e financave publike dhe nuk ka marrë pjesë në tendera publikë.

“Ky është një takim i parë që përgatitemi për procesin lidhur me verifikimin e masës, që është arrest me burg. Ne duam dosjen. Është e turpshme, sepse edhe pse kemi bërë kërkesë, i jemi drejtuar ILD që na është mohuar një e drejtë, sepse pa dosje nuk mund ngremë pretendim”, deklaroi Haxhia.

Ai shtoi se Agasi e konsideron veten jashtë çdo përgjegjësie juridike dhe se, sipas tij, nuk ka pasur rol në menaxhimin e financave publike.

“Zoti Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon dhe është fakt që ai nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka qenë në funksionet e autoriteteve që menaxhojnë financa publike. Nuk ka marrë pjesë as në tendera publikë”, u shpreh avokati.

Më tej ai tha se klienti i tij ka qenë jashtë shtetit për të firmosur kontrata biznesi dhe me gjasë ka hyrë në Shqipëri ilegalisht. 

Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, së bashku me ish-efektivin e Policisë, Uljan Shpataraku. Arrestimi u krye në kuadër të hetimeve të SPAK për procedurat e prokurimeve të AKSHI-t.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë