Rend dhe Ligj

Kokaina në Frakull, ekstradohet nga Kolumbia kimisti i dënuar me 14 vite burg

Gazeta Si – Autoritetet e Interpolit kanë ekstraduar në Shqipëri nga Kolumbia kimistin kolumbian të kokainës në Frakull të Fierit.

Sipas njoftimit zyrtar, Saimir Rosales Rodriguez do të vuajë dënimin me 14 vite burg të dhënë nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK.

Ai konsiderohet një nga personat kyç të përfshirë në dosjen e laboratorit të kokainës në Frakull dhe njihej me nofkën “Kimisti”, për shkak të rolit të tij të dyshuar në përpunimin e lëndës narkotike.

Rodriguez kishte arritur të largohej nga Shqipëria pas operacionit antikokainë, por u arrestua në shtator të vitit të kaluar nga autoritetet kolumbiane, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.

Sipas hetimeve, gjatë vitit 2022 autoritetet shqiptare dhe ato malazeze shkëmbyen informacione për një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik, i cili kishte nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut në Greqi dhe kishte destinacion tranzit Malin e Zi, me marrës një shtetas shqiptar. Hetimet dyshojnë se Rodriguez kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike përgjatë këtij itinerari.

Po ashtu, Interpoli njofton se nga Italia u ekstradua shtetasi shqiptar Fadil Tërnova, 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale.

Sipas Policisë, ndaj tij Gjykata e Dibrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve.

Ngjarja për të cilën akuzohet lidhet me një incident të vitit 2024 në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë, ku dyshohet se Tërnova ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër pas një konflikti verbal.

Ai rezulton gjithashtu i proceduar për “goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe është dënuar më herët për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë