Nga Gazeta ‘Si’-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mangësi serioze në zbatimin e politikave për luftën kundër varfërisë në Shqipëri. Në raportin e auditimit të performancës mbi efektivitetin e masave të ndërmarra për përmbushjen e objektivit “Zhdukja e varfërisë në të gjitha format”, KLSH arrin në përfundimin se harmonizimi, monitorimi dhe zbatimi i këtij objektivi kanë qenë vetëm pjesërisht efektivë.
Një nga gjetjet më shqetësuese të auditimit është fakti se mbi 40% e popullsisë në Shqipëri vazhdon të jetë në rrezik për të qenë e varfër ose e përjashtuar socialisht, ndërsa financimi për mbrojtjen sociale mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. KLSH vlerëson se këto tregues dëshmojnë se politikat aktuale nuk kanë arritur të prodhojnë rezultatet e pritshme dhe se nevojiten reforma më të forta në planifikim, koordinim institucional dhe financim për të garantuar ulje të qëndrueshme të varfërisë.
Auditimi konstaton se Shqipëria ende nuk ka një Kornizë Kombëtare të Indikatorëve për matjen e progresit, ndërsa Udhërrëfyesi Kombëtar për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk është miratuar. Po ashtu, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për mbledhjen e të dhënave, monitorimin dhe raportimin e progresit nuk kanë funksionuar në mënyrë efektive. Sipas raportit, Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar (SIPI) nuk funksionon dhe shumica e institucioneve qendrore dhe vendore nuk kanë struktura apo persona të dedikuar për ndjekjen e OZHQ-ve.
Raporti thekson se, pa një sistem funksional monitorimi, pa tregues të qartë dhe pa përgjegjësi të mirëpërcaktuara për institucionet përgjegjëse, Shqipëria rrezikon të mos arrijë objektivat e përcaktuara në Agjendën 2030 për reduktimin e varfërisë dhe rritjen e përfshirjes sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje