Drejtësia

‘Shtëpitë u blenë me parà droge’, familja e Suel Çelës padit për shpifje në Itali ish-kreun e SPAK, Altin Dumani

Gazeta Si – Familja e Suel Çelës në Itali, ka kallëzuar ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, pas një operacioni të përbashkët shqiptaro-italian që çoi në sekuestrimin e pasurive të tyre me vlerë rreth 4 milionë euro në Verona.

Mediat italiane raportojnë se, pasuritë u sekuestruan në korrik 2025 nga SPAK dhe Guardia di Finanza, nën dyshimin se ishin blerë me të ardhura nga aktivitete të paligjshme, përfshirë trafikun e kokainës.

Bëhej fjalë për një ndërtesë në rrugën Murari Bra, ku ndodheshin rreth 30 ambiente tregtare dhe zyra, si dhe një kompleks në Nogarole Rocca, në pronësi të kompanisë Meral Srl, të lidhur me familjen Çela.

Megjithatë, më 4 gusht 2025, gjyqtarja e hetimeve paraprake në Verona, Paola Vacca, vendosi anulimin e masës së sekuestrimit dhe kthimin e pasurive te pronarët.

Sipas vendimit, dokumentacioni i paraqitur nga mbrojtja tregonte se pasuritë ishin blerë me të ardhura nga aktivitete të ligjshme.

Blloku urban në Golosine. Me rreth të kuq është shënuar prona që u sekuestrua në korrik të vitit 2025 dhe që u lirua nga sekuestrimi një muaj më pas: blerja ishte e ligjshme

Pas këtij vendimi, përfaqësuesi ligjor i Meral Srl kallëzoi për “kallëzim të rremë” ish-kreun e SPAK, Altin Dumani.

Prokuroria e Veronës kishte kërkuar fillimisht arkivimin e çështjes, por gjyqtari Enrico Zuccon vendosi kryerjen e hetimeve shtesë.

Autoritetet italiane pritet të verifikojnë dokumentacionin e dërguar nga Shqipëria, si dhe nëse autoritetet shqiptare kishin dijeni për vendime të mëparshme lidhur me hetimet ndaj familjes Çela.

Mbrojtja e Dumanit ka kërkuar sërish arkivimin e çështjes, duke argumentuar se kallëzimi synon të ndikojë në hetimet e ardhshme të prokurorit shqiptar.

Për momentin, çështja mbetet e hapur, ndërsa Prokuroria e Veronës ka dy muaj në dispozicion për kryerjen e verifikimeve, përpara se palët t’i rikthehen gjyqtarit.

Sipas hetimeve të SPAK, grupi kriminal ishte përgjegjës për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.

Kjo shënon herën e parë që SPAK ka bërë sekuestrim të pasurive të krimit të organizuar jashtë territorit të Shqipërisë.

Suel Çela konsiderohet si kreu i një organizate kriminale në Elbasan. Ai ndodhet në kërkim nga SPAK pas hetimeve për dhjetëra ngjarje kriminale në Shqipëri dhe pastrim parash nga trafiku i drogës.

Nga ana tjetër, Mario Çela u ekstradua para disa mujsh nga Belgjika në Shqipëri, i akuzuar mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë