Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është tërhequr nga plani për krijimin e një kompanie tregtare me vlerë 20 miliardë dollarë, e cila do të shiste aksione te investitorët privatë.
Në një deklaratë, Infantino tha se “është bërë e qartë se projekti ka krijuar përçarje të tilla që, pavarësisht nivelit të mbështetjes, nuk i shërbejnë më objektivit për të cilin ishte propozuar fillimisht”.
Vendimi vjen pas kundërshtimeve të forta nga drejtues të lartë të FIFA-s, UEFA dhe konfederatave të tjera të futbollit, si edhe pas reagimeve të shumta që pasuan zbulimin e planit nga Financial Times.
Infantino shtoi se synon të mbledhë sërish të gjitha palët e interesuara në ditët dhe javët në vijim, “në frymën e interesit të përbashkët për lojën tonë”.
Projekti, i udhëhequr nga fondi Thrive Eternal i Joshua Kushner, synonte të siguronte miliarda dollarë për zhvillimin e futbollit në mbarë botën.
Plani u kritikua ashpër nga UEFA, konfederatat e tjera dhe drejtues të futbollit, të cilët argumentojnë se Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi dhe se privatizimi i të ardhurave të saj rrezikon trashëgiminë e futbollit.
Kritika ka pasur edhe për mënyrën e fshehtë me të cilën u përgatit projekti, si dhe për lidhjet e ngushta të Infantinos me presidentin amerikan Donald Trump. Disa federata kërkojnë që plani të tërhiqet plotësisht, ndërsa po shtohen zërat për një sfidë ndaj Infantinos në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s.
Megjithëse Infantino argumenton se investimi do të rriste fondet për federatat kombëtare, kundërshtarët theksojnë se FIFA tashmë ka miliarda dollarë rezerva dhe nuk ka nevojë për kapital privat. Pas reagimeve të forta, vetë Infantino u tërhoq nga propozimi, duke pranuar se ai kishte krijuar përçarje të thella brenda futbollit botëror./FT
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje