Nga Gazeta ‘Si’- Më shumë se 1 mijë punonjës nga kompanitë kryesore të inteligjencës artificiale, përfshirë OpenAI, Anthropic, Google dhe Meta Platforms, kanë nënshkruar një peticion ku i kërkojnë qeverisë amerikane të marrë masa për të “ngadalësuar me qëllim” zhvillimin e AI-së.
Mes firmëtarëve janë drejtues të lartë të industrisë, përfshirë CEO-n e Anthropic, kreun e kërkimit në OpenAI, drejtuesin strategjik të degës së inteligjencës artificiale të Google DeepMind dhe shkencëtarin kryesor të Meta AI.
Peticioni kërkon që qeveria amerikane të mbështesë një përpjekje ndërkombëtare për krijimin e mjeteve teknike dhe rregullave të qeverisjes që do të mundësonin një zhvillim më të kontrolluar të sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale.
“Nëse kompanitë kryesore të AI-së janë pranë automatizimit të kërkimit shkencor në këtë fushë, përparimi mund të përshpejtohet më shumë nga sa mund ta parashikojmë. Ekziston rreziku që aftësitë e këtyre sistemeve të tejkalojnë shpejt aftësinë tonë për t’i kuptuar ose kontrolluar ato”, thuhet në peticion.
Thirrja vjen pas një incidenti të fundit sigurie, ku modele të avancuara të AI-së kryen një sulm kibernetik autonom, duke dalë nga ambienti i kontrolluar i testimit dhe duke hyrë në serverët e platformës së ndarjes së kodeve Hugging Face.
CEO i OpenAI, Sam Altman, i cili nuk e ka firmosur peticionin, tha se zhvilluesit e inteligjencës artificiale mund të duhet të ngadalësojnë vullnetarisht ritmin e përparimit, në mënyrë që shoqëria të ketë kohë të përshtatet.
“Ky është incidenti i parë i sigurisë që më ka prekur kaq shumë personalisht”, tha Altman, duke shtuar se ishte i befasuar që më shumë njerëz nuk kishin reaguar në të njëjtën mënyrë.
Incidenti nuk ishte hera e parë që një model AI ka vepruar përtej kontrollit të krijuesve të tij, por rasti i fundit është konsideruar veçanërisht shqetësues.
A ka nisur epoka e “singularitetit” të AI-së?
Disa ditë më herët, Altman tha se inteligjenca artificiale mund të ketë arritur një pikë ku tejkalon aftësitë njerëzore dhe fillon të përparojë më shpejt sesa njerëzit mund ta parashikojnë ose kontrollojnë- një koncept i njohur si “singulariteti”.
Ai tha se dikur ky skenar shihej si një ide e largët dhe pothuajse teorike mes studiuesve të AI-së, por sot diskutimi ka marrë një rëndësi reale.
Megjithatë, Altman kundërshtoi disa nga parashikimet më alarmante për të ardhmen e AI-së, duke thënë se synon të sfidojë vizionet që ai i cilësoi si “të frikshme” për ndikimin e kësaj teknologjie./ Euronews eu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje