Inteligjenca Artificiale

‘Mund të jemi në mes të një flluske të inteligjencës artificiale’

Nga Gazeta ‘Si’- Investimet e vrullshme në inteligjencën artificiale mund të kenë krijuar një “flluskë” financiare të ngjashme me atë të dotcom-it në fillim të viteve 2000 ose me krizën financiare të vitit 2008, paralajmëron Bordi i Stabilitetit Financiar (FSB).

Sekretari i përgjithshëm i FSB-së, John Schindler, tha se vlerësimet e larta të kompanive të lidhura me AI mund të jenë rezultat i një entuziazmi të tepruar të tregjeve.

Sipas tij, historia ka treguar se mania për teknologjitë e reja shpesh shoqërohet me rritje artificiale të çmimeve të aktiveve.

“E pamë këtë gjatë periudhës së dotcom-it dhe para krizës financiare globale me flluskën e çmimeve të banesave. Mund të jemi duke parë diçka të ngjashme edhe tani”, u shpreh ai.

Sipas Goldman Sachs, kompanitë e lidhura me inteligjencën artificiale kanë shtuar rreth 27 trilionë dollarë në vlerën e tregut që nga nëntori i vitit 2022.

Ndërkohë, FSB shqetësohet se investimet janë përqendruar në pak kompani gjigante, çka mund të krijojë tronditje më të gjera financiare nëse vlerat e tyre bien ndjeshëm.

Paralajmërime të ngjashme kanë bërë edhe Banka për Rregullimet Ndërkombëtare (BIS) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilët kanë theksuar se tregjet mund të përballen me korrigjime të forta nëse inteligjenca artificiale nuk arrin të përmbushë pritshmëritë për fitim dhe rritje të produktivitetit.

Megjithatë, Schindler theksoi se sistemi bankar është më rezistent ndaj goditjeve krahasuar me periudhën para vitit 2008, por shtoi se rreziqe të reja mund të jenë grumbulluar në sektorin financiar jobankar, i cili është rritur ndjeshëm dhe mbikëqyret më pak./ Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë