Politike

Rama: ‘Revolucioni i flamingove’ tregoi çarjet që mund të shfrytëzohen për manipulim

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama deklaroi se dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë kthyer në një nga sfidat kryesore për demokracitë moderne, duke paralajmëruar se sot nuk nevojitet më një ushtri për të destabilizuar një vend.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Sipas Ramës, ndikimi i platformave digjitale dhe algoritmeve ka ndryshuar mënyrën se si përhapen informacionet dhe si mund të ndikohen debatet publike.

“Fuqia nuk matet vetëm me madhësinë e një ushtrie. Fuqia matet edhe me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin, për t’i kthyer ndasitë sociale në armë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se manipulimi i informacionit tashmë shfaqet përmes përmbajtjeve të përditshme, trendeve virale apo mesazheve të shpërndara në rrjete sociale dhe aplikacione komunikimi.

“Sot, manipulimi udhëton me shpejtësinë e algoritmit, i fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Nuk duhet më ushtri për të destabilizuar një vend”, u shpreh ai.

Rama përmendi edhe atë që e cilësoi si “revolucioni i flamingove”, si një shembull të një cenueshmërie që mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj për të ndikuar në shoqëri.

Ai nënvizoi se sa më shumë Shqipëria afrohet me Bashkimin Evropian, aq më shumë rriten përpjekjet e aktorëve të huaj për të ndërhyrë përmes metodave hibride.

“Duhet të forcojmë rezistencën ndaj sulmeve hibride. Ne jemi pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt”, deklaroi kryeministri.

Sipas programit të konferencës, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë po përdorin gjithnjë e më shumë platformat digjitale, inteligjencën artificiale dhe fushatat e koordinuara online për të manipuluar debatin publik, për të minuar besimin te institucionet demokratike dhe për të ndikuar në proceset politike pa përdorur mjete tradicionale ushtarake.

Konferenca do të vendosë Shqipërinë në qendër të diskutimeve si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke analizuar sfidat me të cilat përballet mjedisi informativ shqiptar dhe masat që duhen ndërmarrë për të rritur rezistencën institucionale ndaj manipulimit të huaj të informacionit.

Organizatorët theksojnë se vendet e zgjerimit nuk duhet të jenë vetëm përfituese të iniciativave të BE-së, por edhe kontribuuese aktive në përballimin e kërcënimeve hibride që prekin kontinentin.

Në fokus të diskutimeve do të jenë përvoja evropiane në luftën kundër dezinformimit, zhvillimi i European Democracy Shield dhe instrumentet e Bashkimit Evropian për identifikimin dhe kundërshtimin e manipulimit të huaj të informacionit.

Një tjetër objektiv është identifikimi i rekomandimeve konkrete për institucionet publike, mediat, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur integritetin e proceseve demokratike dhe për të mbështetur procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Programi parashikon dy panele diskutimi. I pari do t’i kushtohet manipulimit të huaj të informacionit si një kërcënim i ri për sigurinë evropiane, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga NATO Strategic Communications Centre of ExcellenceSciences Po ParisFree Russia Foundation dhe specialistëve të njohur të sigurisë dhe medias.

Paneli i dytë do të fokusohet te Shqipëria dhe vendet e zgjerimit, duke analizuar dobësitë e mjedisit informativ shqiptar, ndikimin e dezinformimit në debatin publik dhe masat praktike për forcimin e rezistencës së institucioneve demokratike.

Në diskutim do të marrin pjesë përfaqësues të Institutit Shqiptar të Medias, Faktoje.al, WatchDog.MD, Kyiv Post, Institutit për Dialog Strategjik (ISD Germany), si edhe përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë.

Konferenca do të hapet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa fjalën kryesore do ta mbajë Kryeministri Edi Rama.

Në përfundim, organizatorët synojnë të dalin me rekomandime praktike për forcimin e përgatitjes institucionale, rritjen e edukimit mediatik, mbrojtjen e integritetit zgjedhor dhe zhvillimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e demokracisë nga manipulimi i huaj i informacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë