Para

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk ndalin rënien e euros

Nga Gazeta ‘Si’- Banka e Shqipërisë ka blerë 139.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor gjatë tremujorit të parë të vitit, në përpjekje për të rritur rezervën valutore dhe për të zbutur luhatjet e kursit të këmbimit. Megjithatë, zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka vijuar. Tendenca rënëse nuk është ndalur gjatë muajve të fundit, ndërsa në fillim të korrikut kursi i këmbimit zbriti në rreth 93 lekë për euro, niveli më i ulët i viteve të fundit.

Përmes tre ankandeve, Banka bleu 44.1 milionë euro, ose mesatarisht 14.7 milionë euro për ankand, një nivel më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Paralelisht, gjatë tremujorit të parë Banka e Shqipërisë ndërhyri edhe në tregun valutor për realizimin e objektivave të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Në katër ndërhyrje të veçanta u blenë gjithsej 95.5 milionë euro.

Në total, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të parë arritën në 139.6 milionë euro.

Për të gjithë vitin, Banka planifikon të blejë nga bankat tregtare 330 deri në 450 milionë euro, rreth 100 milionë euro më shumë se programi i ndërhyrjeve i vitit 2025. Sipas institucionit, flukset valutore rriten ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit, kryesisht për shkak të të ardhurave nga turizmi. Për këtë arsye, edhe pjesa më e madhe e ankandeve zhvillohet gjatë kësaj periudhe.

Rezerva valutore që ndërton Banka e Shqipërisë shërben për të garantuar përmbushjen e nevojave të qeverisë për pagesat e borxhit të jashtëm, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare duke siguruar likuiditet në valutë për importuesit, si edhe për t’i dhënë mundësi Bankës Qendrore të ndërhyjë në treg në rast të luhatjeve të forta të kursit të këmbimit, me synim ruajtjen e stabilitetit financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë