Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se ka prishur dakordësimin për punën e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, duke pretenduar se kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të ndryshuar qëndrimin e socialistëve.
Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha deklaroi se mes palëve kishte një marrëveshje për zgjatjen e afatit të komisionit, por me kusht që në proces të përfshihej ekspertiza ndërkombëtare.
Sipas tij, ky kusht ishte i panegociueshëm nga opozita dhe ndryshimi i qëndrimit të mazhorancës erdhi pas ndërhyrjes së kryeministrit.
“Boçi, që do të flasë, ka bërë përpjekje maksimale me Maznikun, apo pengun. Kishte një ujdi për të zgjatur afatin e komisionit. Kushti për të marrë ekspertizën e evropianëve është i panegociueshëm nga ne. Ishte Rama ai që urdhëroi pengun e tij të veprojë krejtësisht në mënyrë të njëanshme”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se projekti i diskutuar nga mazhoranca për ndryshimet territoriale synon reduktimin e numrit të bashkive.
“Projekti i diskutuar nga ju shkurton të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri akuzoi qeverinë se ka ndërmarrë vetëm “antireforma” dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në protestat kundër mazhorancës.
Berisha tha se opozita kishte marrë pjesë në grupet e punës për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale me kushtin që proceset të bazoheshin në ekspertizën ndërkombëtare.
“Me Edi Ramën ka vetëm antireformë. Në mbështetje të përpjekjeve tona për proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore, Territoriale dhe Zgjedhore, me një kusht të vetëm. Për reformën zgjedhore të merret ekspertiza e OSBE/ODIHR-it dhe për Territorialen ekspertiza e konferencës rajonale”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për mungesë transparence dhe tha se reforma territoriale duhet të zhvillohet duke marrë parasysh ekspertizën evropiane dhe interesat e komuniteteve lokale.
Në fund të deklaratës së tij, ai u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si një reagim qytetar ndaj qeverisjes aktuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje